Kronikë
Pas dënimit të ri: Numërimi mbrapsht për apelin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë
Reklamë e Sponsorizuar
Pas vendimit të sotëm lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë, vëmendja e opinionit publik dhe e Dhomave të Specializuara në Hagë është përqendruar sërish te çështja kryesore gjyqësore. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë afat deri më 27 nëntor për të dorëzuar njoftimet e apelit kundër aktgjykimit për krime lufte ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ky afat është përcaktuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, i cili më 29 shtator vendosi ta miratojë pjesërisht kërkesën e avokatëve për shtyrje. Ekipet mbrojtëse kishin kërkuar më shumë kohë, duke argumentuar se vëllimi i madh dhe kompleksiteti i aktgjykimit, të shoqëruara me mungesën e përkthimit adekuat në gjuhën shqipe, e bënin të nevojshme një shtyrje deri më 15 dhjetor.
I njëjti afat kohor është vendosur edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në këto parashtresa, palët janë të obliguara të specifikojnë qartë pikat dhe pjesët e aktgjykimit që synojnë t'i kontestojnë gjatë procesit të shkallës së dytë.
Kujtojmë se më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shqiptuan dënimet për katër ish-krerët e UÇK-së, duke i shpallur fajtorë për krime lufte, si vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Ky vendim mbetet jo i formës së prerë.
Ndërkohë, në një proces të ndarë që ka të bëjë me pengimin e drejtësisë, gjyqtari Christopher Gosnell e dënoi sot Hashim Thaçin me 17 muaj burgim. Ai u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Gjykata ka sqaruar se ky dënim do të shërbehet në mënyrë të pavarur nga dënimi për çështjen e krimeve të luftës.
Edhe ky vendim i fundit është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtën ligjore për ta ankimuar atë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: