Sport
Avdyli synon kthesën ndaj Izraelit: Jemi gati për fitore, do të japim maksimumin
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Kosovës ka vijuar intensivisht përgatitjet për sfidën e radhës kundër Izraelit, e cila do të luhet të enjten në Hungari.
Gjatë seancës stërvitore të sotme, selektori Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve. Ndërkohë, portieri Arijanet Muric, për shkak të një lëndimi të pësuar në miqësoren ndaj Austrisë në Vjenë, është kufizuar vetëm në ushtrime të lehta nën mbikëqyrjen e trajnerit atletik.
Pas përfundimit të stërvitjes, mesfushori Milot Avdyli, një nga prurjet më të reja në radhët e “Dardanëve”, ka ndarë pritshmëritë e tij për këtë përballje të rëndësishme.
Duke folur për atmosferën dhe punën që po bëhet, ai u shpreh se skuadra po përgatitet me seriozitet maksimal për këtë duel.
“Seanca shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani grupi është kompletuar me të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ata që kanë pasur ngarkesë më të madhe me minuta. Po përgatitemi me përkushtim dhe besoj se do të japim gjithçka në fushë”, deklaroi Avdyli.
Ai pranoi se bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë, por u shpreh i bindur në potencialin e ekipit për të dalë me rezultat pozitiv.
“Është një kundërshtar i vështirë, mirëpo me kualitetin që posedon ky grup, besoj se mund t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv. Tani është momenti i duhur që të rikthehemi te fitorja dhe jam i bindur se bashkë do t’ia dalim”, përfundoi ai.
Kujtojmë se në ndeshjen e fundit kundër Austrisë, Milot Avdyli u aktivizua për 45 minuta lojë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: