Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Albin Kurti u garantoi francezëve zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që ka Asociacionin brenda

Redaksia Lajmetereja • 13-11-2026 23:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Albin Kurti u garantoi francezëve zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që ka Asociacionin brenda
Publikuar më: Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Kombëtare të Francës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit — marrëveshje kjo që përfshin edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (vetëmenaxhimin e komunitetit serb). Para ligjvënësve francezë, Kurti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të ketë në thelb njohjen reciproke, duke kujtuar se Kosova ka qenë e gatshme për nënshkrimin e marrëveshjeve edhe në prani të presidentit francez, Emmanuel Macron, por se ishte pala serbe ajo që refuzoi. Duke folur për integrimin evropian dhe sigurinë në rajon, Kurti u shpreh se paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet duke bërë lëshime ndaj atyre që e kërcënojnë atë. Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Asamblenë Kombëtare të Francës: “Një kandidat i mirë për BE-në është një kandidat me demokraci funksionale, që i ka harmonizuar politikat e veta me acquis-në evropiane dhe i ndan vlerat e Bashkimit Evropian. E njëjta qartësi është e nevojshme për stabilitetin rajonal. Për një kohë tepër të gjatë, rreziku në rajonin tonë ka qenë ideja se paqja mund të arrihet duke i qetësuar ata që janë në gjendje ta kërcënojnë atë. Aftësia për ta kërcënuar paqen është një cilësi e dobët për t’ia besuar dikujt përgjegjësinë për paqen. Ne duam marrëdhënie të normalizuara me fqinjin tonë verior, Serbinë. Në thelb të kësaj qëndron njohja reciproke. Jemi të angazhuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Në tetor 2023, në Bruksel, në praninë e vetë presidentit Macron dhe të udhëheqësve të tjerë evropianë, propozova t’i nënshkruanim të gjitha marrëveshjet. Serbia refuzoi t’i nënshkruante dhe i ka shkelur dispozitat e marrëveshjes shumë herë.” Qëndrimi mbi Dhomat e Specializuara dhe procesin në Hagë: Në vijim të fjalës së tij, kryeministri Kurti u ndal edhe te çështja e Dhomave të Specializuara, duke saktësuar se ligji i miratuar në Kuvend është kthyer nga presidentja dhe nuk ka hyrë në fuqi, ndërsa shprehu pritshmëritë për procesin në shkallën e dytë. “Ju garantoj se ligji për Dhomat e Specializuara nuk është në fuqi, dhe edhe po të ishte, nuk do të kishte efekt tek Dhomat e Specializuara. Më 6 tetor zgjodhëm presidenten. Gjithashtu votuam një ligj për Dhomat e Specializuara, të cilat i kanë dënuar me 81 vjet burg ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ky ligj nuk është në fuqi. Presidentja, e cila më parë ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e ka kthyer ligjin që u votua. Sot asnjë ligj nuk e pengon funksionimin e sistemit të drejtësisë, një sistem tërësisht ndërkombëtar, me seli në Hagë. Tani do të ketë procedurë në Apel dhe shpresojmë që të gjitha pasaktësitë e aktgjykimit, historike apo faktike, të korrigjohen kur shkalla e dytë ta shqyrtojë atë.” Përfaqësimi i komuniteteve dhe zhvillimet e reja politike në Serbi: Duke u përgjigjur lidhur me trajtimin e komuniteteve joshumicë në Kosovë, Kurti siguroi deputetët francezë se qeveris për të gjithë qytetarët pa dallim, duke përmendur edhe fitoren e Listës së Studentëve në zgjedhjet e Serbisë dhe lidhjet e ngushta të saj me ministrin e qeverisë së tij. “Dëshiroj t’ju siguroj, zonjë, se jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, jo vetëm i shqiptarëve. Pas ndryshimeve demokratike në Serbi, tani ka një parti politike, Listën e Studentëve, e cila i fitoi zgjedhjet dhe ka marrëdhënie shumë të mira me ministrin e qeverisë sime. Unë i fitova zgjedhjet në Kosovë, por ministri im i fitoi zgjedhjet në Serbi. Ai e mbështet dhe bashkëpunon ngushtë me partinë që i fitoi zgjedhjet në Serbi më 25 tetor. Nuk jemi këtu për ta diskriminuar apo për ta shfrytëzuar askënd. Besoj në barazi, dinjitet, të drejta të njeriut, sundim të ligjit dhe demokraci”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar