Sport
Masat strikte për ndeshjen Kosovë-Izrael: Çfarë duhet të dinë tifozët para hyrjes në stadium
Reklamë e Sponsorizuar
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë publike rregulloren e detajuar për të gjithë të pranishmit në stadiumin “Fadil Vokrri”, me qëllim garantimin e sigurisë maksimale gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.
Sipas njoftimit zyrtar, hyrja në impiantin sportiv me armë të çfarëdo lloji, mjete të mprehta, mjete piroteknike, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë eksplozive, pije alkoolike, laserë apo dronë është rreptësisht e ndaluar. Po ashtu, nuk lejohen pajisjet e zërimit pa leje, banderolat me mesazhe raciste, politike apo diskriminuese, çadrat, si dhe çdo objekt tjetër që mund të cenojë sigurinë e të pranishmëve.
FFK-ja thekson se çdo spektator është i obliguar të ketë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm, i cili do t’i nënshtrohet verifikimit në hyrje. Për të evituar radhët e gjata dhe vonesat, tifozët janë këshilluar të mbërrijnë në stadium sa më herët, pasi kontrollet e sigurisë do të jenë rigoroze për secilin individ.
Një tjetër njoftim i rëndësishëm ka të bëjë me qarkullimin dhe parkimin: “Prishtina Parking” nuk do të funksionojë gjatë ditës së ndeshjes. Për këtë arsye, tifozët inkurajohen të planifikojnë vendosjen e automjeteve të tyre në hapësira më të largëta nga stadiumi, për të parandaluar bllokimet në trafik.
Në mbyllje të njoftimit, FFK-ja u ka bërë thirrje mbështetësve të Kombëtares së Kosovës që të tregojnë qytetari, disiplinë dhe korrektësi, duke ofruar përkrahje sportive dhe të zjarrtë për futbollistët tanë në këtë përballje të rëndësishme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: