Politikë
Akuza të rënda nga LDK: Qeveria Kurti nën hijen e Martin Berishajt dhe Vuk Hamoviqit
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar ekzekutivin për dështim total në menaxhimin e krizës energjetike dhe mungesë të rezultateve në avancimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Gjatë fjalimit të saj në Kuvend, Ymeri ka hedhur poshtë argumentet e qeverisë se inflacioni është pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare, siç është situata në Ngushticën e Hormuzit. Sipas saj, rritja e çmimeve është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të gabuara në sektorin e energjisë dhe shërbimeve.
“Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga çmimi i energjisë dhe i shërbimeve. Sa i përket energjisë, ju keni punuar sipas agjendës së Vuk Hamoviqit, ndërsa në raportet për burimet e ripërtëritshme nuk ka pasur asnjë progres. Keni dështuar në sigurimin e energjisë, sepse keni instaluar një skemë ku ZRRE-ja dhe KOSTT-i janë vënë në shërbim të Martin Berishajt”, deklaroi deputetja e LDK-së.
Në kulmin e debatit, Ymeri ka kërkuar sqarime publike nga kryeministri Albin Kurti lidhur me dyshimet për financimin e fushatës elektorale dhe lidhjet e mundshme me figura të përfolura. Ajo sfidoi kreun e qeverisë që të dëshmojë të kundërtën e akuzave të saj.
“A mund ta demantoni se nuk keni marrë para nga Martin Berishaj për fushatë dhe se nuk keni borxh ndaj Vuk Hamoviqit, 'ujkut' të qeverisë suaj? Kjo është pyetja për Albin Kurtin, dhe nëse ai mund ta demantojë këtë, le të vijë ta bëjë këtu në foltore”, përfundoi Ymeri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: