Botë
Reformat në BE: Komisioni Evropian paralajmëron kufizime për shtetet e reja anëtare dhe heqje të vetos
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Evropian pritet të paraqitë një sërë propozimesh që parashikojnë kufizimin e disa të drejtave për vendet që do t'i bashkohen në të ardhmen Bashkimit Evropian, si dhe kalimin nga parimi i unanimitetit në atë të shumicës së kualifikuar për një sërë fushash kyçe, përfshirë edhe procesin e zgjerimit.
Këto masa do të jenë boshti kryesor i strategjisë së re për zgjerimin, e cila është planifikuar të miratohet dhe të bëhet publike më 7 tetor nga ana e Komisionit Evropian.
Qëllimi kryesor i këtij plani është që pranimi i anëtarëve të rinj të mos e rëndojë më tej mekanizmin ekzistues të vendimmarrjes brenda bllokut, i cili vlerësohet tashmë si mjaft i ndërlikuar.
Në dokumentin strategjik, Komisioni do të theksojë nevojën e një përgatitjeje të gjithanshme për zgjerimin, në dobi të të dyja palëve. Nga njëra anë, vendet kandidate duhet të dëshmojnë gatishmëri dhe të përmbushin standarde rigoroze, ndërsa nga ana tjetër, vetë BE-ja duhet të jetë e përgatitur në rrafshin institucional, financiar dhe politik për të ruajtur funksionalitetin e saj edhe pas pranimit të anëtarëve të rinj.
Sipas projekt-dokumentit, mekanizmat e rinj synojnë të kufizojnë mundësinë e bllokimit të vendimeve gjatë viteve të para pas anëtarësimit. Në të njëjtën kohë, shtetet aktuale anëtare do të pajisen me instrumente juridike për të reaguar në rast se vendet e reja largohen nga detyrimet e marra përsipër pas hyrjes në bllok.
Aspekti më delikat i këtij drafti lidhet me kufizimin e të drejtës së vetos, një masë që në dokument përshkruhet simbolikisht si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.
Në bazë të këtij parashikimi, anëtarët e ardhshëm do të merrnin përsipër detyrimin që të mos i kundërshtojnë vendimet e Këshillit në ato fusha ku kërkohet votim unanim.
Ky rregull do të gjente zbatim në çështjet me karakter institucional si dhe në temat që lidhen me fazat e ardhshme të zgjerimit të bllokut.
Si kundërpërgjigje, institucionet evropiane do të zotoheshin për gjetjen e mekanizmave të përshtatshëm kompensues në rastet kur një shtet i ri anëtar thërret në mbrojtje interesat e tij thelbësore kombëtare.
Këto rregullime të reja, sipas burimeve të njohura me dokumentin, pritet të përfshihen në një deklaratë të përbashkët që do t'i bashkëngjitet Traktatit të Anëtarësimit, e cila do të miratohet para nënshkrimit të vetë Traktatit.
Gjatë këtij viti, shtetet anëtare kanë ndërmarrë një sërë nismash joformale për ta përgatitur Bashkimin Evropian për pranimin e anëtarëve të rinj, duke kërkuar thjeshtimin e procedurave të vendimmarrjes, ku përdorimi i vetos shpeshherë ka bllokuar proceset dhe ka dëmtuar unitetin.
Kujtojmë se gjatë muajit mars, Komisioni Evropian hodhi në tavolinë tre skenarë të ndryshëm – status quo-në, integrimin gradual dhe anëtarësimin e kundërt – të cilat nuk gjetën mbështetjen e shumicës së shteteve.
Ndërkohë, në muajin maj, kancelari gjerman Friedrich Merz propozoi krijimin e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një anëtarësim të asociuar pa të drejtë vote për Ukrainën.
Në prag të samitit në Tivat, Parisi dhe Berlini dolën me nismën për një integrim gradual para anëtarësimit të plotë, ndërsa pesë vende anëtare propozuan kufizimin e të drejtave të anëtareve të reja, duke kufizuar kështu edhe mundësinë e tyre për të përdorur veton ndaj kandidatëve të tjerë në të ardhmen.
Në shtator, njëmbëdhjetë shtete bënë thirrje për kalimin nga vendimmarrja me unanimitet në atë me shumicë të cilësuar, një qëndrim që gjen mbështetjen e plotë edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pavarësisht këtyre diskutimeve dhe propozimeve, fjala e fundit për çdo ndryshim i takon vetë shteteve anëtare, të cilat vendosin në mënyrë unanime.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: