Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Gjetjet e auditimit zbulojnë parregullsi milionëshe në gjigantin “Trepça”

Redaksia Lajmetereja • 11-11-2026 11:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Gjetjet e auditimit zbulojnë parregullsi milionëshe në gjigantin “Trepça”
Pasuri që kapin vlerën mbi 42 milionë euro pa mbështetje të mjaftueshme dokumentare, paqartësi në vlerësimin e stoqeve prej mbi 23 milionë eurosh, si dhe mbivlerësim i llogarive të arkëtueshme, janë vetëm disa nga shkeljet e rënda të evidentuara në raportin e auditimit për ndërmarrjen “Trepça” për vitin 2025. Këto gjetje shqetësuese u shqyrtuan gjatë mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u ngritën alarme serioze lidhur me saktësinë e raporteve financiare dhe përgjegjësinë e strukturave drejtuese të kompanisë. Besian Mustafa, kryetar i këtij komisioni, gjatë diskutimit të pasqyrave vjetore financiare të ndërmarrjes, theksoi se numri i madh i parregullsive dëshmon një pasqyrë jorealiste të gjendjes ekonomike të “Trepçës”. “Nuk pasqyron drejtë realitetin financiar të ndërmarrjes suaj. Ka aq shumë gjetje saqë kam frikën se do mbesim shumë gjatë. Ndërmarrja nuk ka zbatuar në mënyrë të plotë kërkesat për dy inventarë lidhur me matjen e prezantimit të stoqeve në pasqyrat financiare për një pjesë të konsiderueshme të stoqeve në vlerë prej 23 milionë e 187 mijë euro nuk janë ofruar dëshmitë të mjaftueshme për metodologjinë e përdorur për përcaktimin e vlerës, kështu që është krijuar pasiguri mbi saktësinë e tyre. Ndërmarrja nuk ka paraqitur saktë obligimin e klientit si llogari të arkëtueshme, si rezultat pasqyrat financiare paraqesin mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme për 376 mijë e 245 euro. Ndërmarrja nuk ka siguruar regjistrim të plotë dhe të saktë të pasurive afatgjate dhe nuk ka siguruar dokumentacion për pasuri prej 42 milionë e 755 mijë e 994 euro.. Si pasojë e kësaj ekziston rreziku që pasuritë dhe rezultatet financiare të jenë materialisht të shtrembëruara, duke ndikuar në paraqitjen e drejtë financiare të ndërmarrjes”, u shpreh Mustafa. Në lidhje me adresimin e rekomandimeve të dhëna nga auditorët, Shpëtim Dobra, kryetar i Bordit të “Trepçës”, bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mangësive, ndonëse pranoi se një numër i madh çështjesh mbeten ende të pazgjidhura. Sipas shifrave të prezantuara prej tij, pesë rekomandime janë përmbushur plotësisht, katër të tjera janë zbatura pjesërisht, ndërsa 27 rekomandime mbeten ende në proces e sipër. “Sipas raportit, pesë rekomandime janë raportuar si të zbatuara plotësisht, katër pjesërisht ndërsa 27 në proces të zbatimit. Menaxhmenti ka përcaktuar afatin deri në fund të vitit 2026. Janë ndërmarrë veprime konkrete përfshirë themelimin e komisioneve, hartime për procedura të brendshme, përmirësimin e evidencave. Duhet të pranoj se një numër i çështjeve vazhdojnë të mbesim të hapura dhe kërkojnë angazhim më të madh dhe përshpejtim të zbatimit”, deklaroi ai. Në anën tjetër, Faton Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes, arsyetoi se një pjesë e këtyre të gjeturave kanë dalë në pah si pasojë e procesit të konsolidimit të pasqyrave financiare, i cili u realizua për herë të parë gjatë vitit 2024. Ahmeti sqaroi se ky bashkim i raporteve ka nxjerrë në shesh sfida të pazbuluara më parë, duke shtuar se në pasqyra tani përfshihen edhe njësitë e ndërmarrjes që operojnë në veri dhe jug të Mitrovicës, ku katër nga gjetjet e reja i përkasin njësisë së Leposaviqit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar