Sport
Pochettino favoriti kryesor për ta zëvendësuar Carrickun në stolin e Man Utd
Reklamë e Sponsorizuar
Michael Carrick duket se i ka ditët e numëruara në stolin e Manchester Unitedit. As përmbysja heroike në Evropë ndaj Romës (3-2), e as barazimi dramatik ndaj Aston Villas (4-4), nuk kanë mjaftuar për ta shpëtuar trajnerin anglez.
Manchester United ndodhet në vendin e 18-të në Ligën Premier dhe do ta kalojë pushimin për ndeshjet e kombëtareve në zonën e rënies nga liga. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit janë të detyruar të ndërmarrin hapa konkretë, ku i pari pritet të jetë shkarkimi i Carrickut.
Sipas raportimeve të mediave të mëdha britanike, Manchester United pritet ta shkarkojë Michael Carrickun nga pozita e trajnerit.
Megjithatë, para marrjes së vendimit përfundimtar, BBC Sport raporton se e ardhmja e trajnerit do të diskutohet në një takim që do të mbahet të mërkurën në Monako, ku do të marrin pjesë bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe, drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori i futbollit Jason Wilcox.
Takimi ishte planifikuar më herët, por një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht e ardhmja e Carrickut.
Ndërkohë, emri i fundit që po lidhet me stolin e “Djajve të Kuq” është Mauricio Pochettino. Sipas The Telegraph, përzgjedhësi aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ishte i gatshëm të merrte drejtimin e Manchester Unitedit, në rast se Carrick shkarkohet.
Pochettino ka kontratë me përfaqësuesen amerikane deri në vitin 2030, pasi në gusht nënshkroi vazhdimin e saj. Megjithatë, sipas BBC Sport, marrëveshja përmban klauzola që do t’i mundësonin largimin për të marrë drejtimin e ndonjë klubi të madh.
Sky Sports News raporton se prishja e kontratës së tij me Federatën Amerikane do t’i kushtonte Manchester Unitedit rreth shtatë milionë funte, apo pak më shumë se tetë milionë euro.
Përveç Pochettinos, drejtuesit e klubit anglez kanë shqyrtuar edhe emra të tjerë për këtë pozitë. Sipas raportimeve, Manchester United ka kontaktuar me Eddie Howen dhe Julian Nagelsmannin, ndërsa edhe Antonio Conte është i interesuar për ta marrë drejtimin e skuadrës.
Trajneri që do ta zëvendësojë Carrickun do të bëhet i 12-ti që merr drejtimin e Manchester Unitedit që nga largimi i legjendës Sir Alex Ferguson në vitin 2013.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: