Sport
Nga talenti i Gjenevës te Kombëtarja A: Ngritja meteorike e Roggerio Nyakossit
Reklamë e Sponsorizuar
Roggerio Nyakossi është emri më i përfolur në radhët e përfaqësueses helvetike, pasi 22-vjeçari ka marrë ftesën e tij të parë për t'iu bashkuar Kombëtares A të Zvicrës.
Prania e futbollistëve me origjinë nga Gjeneva në skuadrën kombëtare tashmë është zgjeruar aq shumë, saqë përbën një kontingjent të konsiderueshëm. Krahas emrave si Zachary Athekame, Winsley Boteli, Johan Manzambi dhe Zeki Amdouni, debutuesi i ri Roggerio Nyakossi i shtohet kësaj liste talentesh të lindur në Gjenevë.
"Kam shpresuar në këtë moment. Të jem këtu më mbush me krenari dhe gëzim të madh", u shpreh 22-vjeçari gjatë paraqitjes së tij të parë para mediave në kuadër të grumbullimit aktual për Ligën e Kombeve.
Por, kush fshihet pas profilit të mbrojtësit qendror me shtatlartësi 1.94 metra, i cili po tëqeth vëmendje në Belgjikë me fanellën e OH Leuven dhe që raportohet se ndiqet nga skufdrat e Premierligës dhe Bundesligës?
Nyakossi e filloi rrugëtimin e tij si lojtar i ri te FC Meyrin, për t'u transferuar në vitin 2017 te grupmoshat e reja të Servette-s, ku pati edhe pesë paraqitje zyrtare në Superligën e Zvicrës.
Në vitin 2022, ai ndërmori një hap të rëndësishëm ndërkombëtar duke iu bashkuar akademisë së Olympique Marseille.
Meqenëse kalimi në formacionin e parë të skuadrës franceze nuk u konkretizua, në dimrin e vitit 2025 ai vendosi të hapë një faqe të ja në karrierë te OH Leuven. Ky vendim doli të ishte tejet i frytshëm, pasi te klubi belg ai fitoi menjëherë një vend titullari.
Në arenën ndërkombëtare për grupmoshat e reja, ai së fundmi ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Kombëtarja U-21 e Zvicrës, një rol që e kishte ushtruar edhe në kategoritë e tjera inferiore.
Përparimi i mbrojtësit të talentuar, i cili shquhet për atributet e tij prej lideri, nuk ka kaluar pa u vënë re nga skuadrat e huaja jashtë kufijve të Belgjikës.
Sipas informacioneve nga mediat, gjatë merkatos së kaluar disa klube nga pesë ligat kryesore evropiane shfaqën interes për futbollistin nga Gjeneva, ndonëse vetë Nyakossi preferoi të vijojë qëndrimin te Leuven.
Ndërkohë, vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve llogaritet të ketë arritur në rreth nëntë milionë euro. Futbollisti me origjinë nga Gjeneva, i cili gëzon tri shtetësi – zvicerane, togoleze dhe ganeze – është bashkuar me grupin e Kombëtares A në St. Gallen, ku është ribashkuar me fytyra të njohura.
Në veçanti, me Athekame, Boteli dhe Manzambi, ai ndan një miqësi dhe histori të gjatë bashkëpunimi në fushë.
"Besoj se kemi luajtur së bashku prej dhjetë vitesh. Të takohemi përsëri këtu është diçka shumë e veçantë", theksoi debutuesi i Kombëtares.
Nyakossi tregon një entuziazëm të veçantë edhe për mundësinë e bashkëpunimit me lojtarët më me përvojë të skuadrës, sidomos me ata që mbulojnë të njëjtën pozitë në fushë.
"Të kesh mundësinë të stërvitesh me futbollistë të tillë është e jashtëzakonshme. Kjo situatë është paksa si shkolla – mund të mësosh jashtëzakonisht shumë", shtoi ai.
Pavarësisht hoveve të shpejta në karrierë, 22-vjeçari ruan një profil modest dhe mbetet i ndërgjegjshëm se në skuadrën e parë duhet ta dëshmojë vlerën e tij hap pas hapi.
"Duhet të vazhdoj të punoj me përkushtim dhe ta ruaj gjakftohtësinë", përfundoi Nyakossi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: