Sport
Kthehet qetësia te Partizani: Klubi bën sakrificën financiare dhe siguron shtëpinë e re për ndeshjet e ardhshme
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i Partizanit ka marrë një vendim madhor për ecurinë e tij në këtë sezon, duke vendosur që sfidat e ardhshme si pritës t'i zhvillojë në impiantin modern “Air Albania”. Kjo lëvizje përfaqëson një sforcim të konsiderueshëm financiar nga ana e drejtuesve të kuq për t'i dhënë fund një serie rezultatesh negative.
Deri më tani, të kuqtë kanë grumbulluar vetëm 1 pikë në pesë ndeshjet e luajtura në shtëpi, ndërsa në transfertë kanë regjistruar tre fitore nga pesë takime në total. Fusha e Vorës dhe ajo e Rrogozhinës nuk sollën fat dhe as pikët e dëshiruara për kryeqytetasit, duke u shndërruar në një periudhë tejet të vështirë për skuadrën.
Arena “Air Albania” parashikohet të presë sfidën e radhës mes Partizanit dhe Vllaznisë, e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore. Megjithatë, përdorimi i vazhdueshëm i këtij stadiumi do të varet nga gjendja e fushës, pasi aty do të zhvillojnë ndeshjet e lor edhe Kombëtarja A dhe ajo U-21.
Ndërkohë, stadiumi “Arena e Demave” vazhdon të jetë jashtë loje për shkak të punimeve të rikonstruksionit. Vlen të theksohet se Partizani kishte kohë pa e përdorur “Air Albania”-n si stadium pritës, me të vetmin përjashtim sfidën derbi kundër Tiranës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: