Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Rigjykimi për vrasjen e argjentinases: Infermierja tregon detajet e autoambulancës dhe përgjigjet për vendndodhjen e të akuzuarit

Redaksia Lajmetereja • 09-11-2026 12:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Rigjykimi për vrasjen e argjentinases: Infermierja tregon detajet e autoambulancës dhe përgjigjet për vendndodhjen e të akuzuarit
Procesi gjyqësor ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, ka vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë me dëshminë e dëshmitares së dytë, Vlora Makolli, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë. Gjatë seancës, ajo ka deklaruar se viktima ka qenë e vetëdijshme gjatë transportit me autoambulancë, por ka shfaqur dhimbje të mëdha gjatë gjithë kohës. Makolli ka treguar se ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke ofruar ndihmën e parë sipas udhëzimeve të doktoreshës. "E kemi vendosur në barele dhe e kemi futur në autoambulancë. Ne si ekip vendosim dy kanella, tretjen dhe injeksionet për dhimbje, sepse pacientja shihej se ka dhimbje të forta. Doktoresha e ka pyetur për emrin për ta ditur se a është e vetëdijshme në gjuhën angleze. Nuk e kuptoj gjuhën angleze, vetëm atë çka na ka thënë doktoresha. Ajo ka thënë se pacientja po thotë që nuk e ka shtyrë dikush. Tjetër nuk po më kujtohet, ka gjëmuar tërë kohën dhe kur ka folur ka qenë me dhimbje. Gjatë rrugës është qetësuar. Ka thënë edhe se nuk ka dashur me ra", u shpreh ajo. Gjatë seancës, avokati i viktimës, Leotrim Syla, e ka pyetur dëshmitaren nëse i pandehuri Endrit Nika ka qenë pranë pacientes gjatë bartjes së saj. Me këtë rast, infermierja Makolli ka qenë e prerë në përgjigjen e saj, duke theksuar se nuk e kishte parë atë afër viktimës në ato momente. Endrit Nika akuzohet për vrasjen e argjentinases Maria Clara Urdangaray, e cila ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si pasojë e plagëve të rënda pasi ra nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë. Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte pranuar ankesën e mbrojtjes, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025 tregon se ngjarja ka ndodhur më 1 gusht 2023. Sipas organit të akuzës, pas një konflikti verbal mes çiftit, Nika fillimisht e kishte goditur të dashurën e tij dhe kishte tentuar ta godiste me veturë në parkingun e hotelit. Më tej, sipas aktakuzës, përleshja kishte precipituar në dhomën e hotelit, ku dyshohet se Nika e kishte dhunuar dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes, duke ia pamundësuar largimin. Prokuroria pretendon se ai kishte hequr kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga lartësia e katit të gjashtë, duke i shkaktuar vdekjen. Për këto veprime, Nika po ngarkohet zyrtarisht me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar