Kronikë
Rigjykimi për vrasjen në Fushë-Kosovë: Mjekja dëshmon se shtetasja argjentinase ishte në vetëdije të plotë pas rënies nga lartësia
Reklamë e Sponsorizuar
Në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, dëshmitarja e thirrur nga mbrojtja, doktoresha Blerina Gashi, ka paraqitur detaje të reja rreth gjendjes së viktimës pas ngjarjes tragjike të 1 gushtit 2023.
Gashi, e cila ushtron profesionin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë-Kosovë dhe ishte pjesë e ekipit mjekësor që ndërhyri në vendin e ngjarjes, deklaroi para trupit gjykues se e ndjera ishte e vetëdijshme, e lëvizshme dhe komunikonte rrjedhshëm gjatë transportit me autoambulancë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ajo u shpreh se gjatë gjithë rrugës ka bashkëbiseduar me pacienten në gjuhën angleze, duke shtuar se rrugët e frymëmarrjes së saj ishin të lira dhe nuk vëreheshin fraktura të jashtme. Sipas dëshmisë së saj, kur e kishte pyetur nëse ishte hedhur vetë apo nëse e kishte shtyrë dikush, e reja argjentinase ishte përgjigjur negativisht në të dyja pyetjet.
Procesi gjyqësor përfshiu edhe pyetje direkte nga babai i viktimës, Facundo Urdangaray, i cili ngriti dilemën nëse një rënie nga një lartësi e tillë mund t'i shkaktojë konfuzion personit në fjalë për të dhënë përgjigje të sakta. Si përgjigje, doktoresha theksoi se nga vëzhgimet e saj dhe raportet e QKUK-së, Clara kishte ruajtur qartësinë mendore edhe pas mbërritjes në spital.
E pyetur nga kryetari i trupit gjykues lidhur me terapinë e dhënë gjatë intervenimit, Gashi sqaroi se barnat e përdorura nuk kishin ndikuar në aftësinë e saj për të komunikuar apo në gjendjen e vetëdijes. Ajo po ashtu konfirmoi se kishte marrë informacion nga kolegët për praninë e gjakderdhjes së brendshme te pacientja.
Endrit Nika akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 1 gusht 2023, pas një konflikti verbal me të dashurën e tij, e kishte sulmuar atë fizikisht para se ajo të binte nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë, plagë këto që i shkaktuan vdekjen në QKUK.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte shpallur fajtor Nikën duke e dënuar me 18 vjet burgim, vendim ky që u rrëzua nga Gjykata e Apelit, e cila aprovoi ankesën e mbrojtjes duke e kthyer lëndën në rigjykim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: