Kronikë
Vazhdon procesi gjyqësor për Endrit Nikën, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase
Reklamë e Sponsorizuar
Sot është parashikuar të mbahet seanca e radhës në kuadër të rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i cili po përballet me akuzat për vrasjen e shtetases nga Argjentina, Maria Clara Urdangaray.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt, kishte marrë vendim dënues ndaj të pandehurit Nika, duke e dënuar me 18 vjet burgim efektiv. Megjithatë, pas ankesës së parashtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit e ka prishur këtë aktgjykim dhe e ka kthyer çështjen në pikën e zero për rigjykim.
Gjatë seancës së mbajtur më 28 maj 2025, i pandehuri është deklaruar sërish i pafajshëm për veprën penale që i faturohet.
Kjo çështje penale ka nisur pas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas dosjes së prokurorisë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, brenda një hoteli në Fushë-Kosovë, pas një konflikti verbal me të dashurën e tij tashmë të ndjerë, M.K-U., e ka sulmuar atë fizikisht në vazhdimësi. Fillimisht, ai dyshohet se ka tentuar ta godasë me veturë në parkingun e hotelit, dhe pasi janë kthyer në dhomën e tyre, dhuna ka eskaluar. Sipas aktakuzës, Nika me dashje e ka privuar nga jeta viktimën duke e goditur dhe shtyrë deri në kënd të dhomës, ku ajo nuk kishte shpëtim, për ta hedhur më pas nga dritarja e katit të gjashtë. Si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, viktima ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Për këto veprime, i akuzuari Nika po ngarkohet zyrtarisht me veprën penale “Vrasje e rëndë”, e parashikuar nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 e Kodit Penal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: