Sport
Beteja për Këshillin Kombëtar Shqiptar: Rexhepi kryeson, por fati i drejtimit varet nga subjektet e vogla
Reklamë e Sponsorizuar
Komuniteti shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë iu drejtua kutive të votimit këtë të diel për të zgjedhur përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Bazuar në të dhënat preliminare, formacioni i renditur i pari është lista numër 3, Partia për Veprim Demokratik – Aleanca për Luginën (PVD–AL), nën drejtimin e Enkel Rexhepit, e cila siguroi 4.769 vota dhe fitoi 10 mandate. Megjithatë, analizimi i shifrave tregon se ky rezultat përbën më tepër një pikënisje për bisedime intensive sesa një garanci për qeverisje të vetme.
Garat zgjedhore për 29 ulëset e këtij institucioni përfshinë katër lista garuese me gjithsej 107 kandidatë. Pas forcës fituese u pozicionua koalicioni LPD–PDSH, i kryesuar nga Shqiprim Musliu, i cili grumbulloj 4.225 vota dhe u nderua me 8 mandate. Ndërkohë, Alternativa për Ndryshim (APN) e udhëhequr nga Levent Qazimi arriti të sigurojë 2.876 vota duke marrë 6 ulëse, kurse koalicioni PD–LR, nënn drejtimin e Sali Salihit, mori 2.753 vota dhe 5 mandate.
Në aspektin përqindjeve, forca e parë arriti shifrën rreth 32,6 për qind, LPD–PDSH u rendit me 28,9 për qind, APN me 19,7 për qind, ndërsa PD–LR arriti në 18,8 për qind. Epërsia e listës fituese ndaj asaj të dytës është vetëm 544 vota, një diferencë e ngushtë që nuk lejon hapësirë për pretendime dominimi absolut.
Për të krijuar shumicën në Këshillin e përbërë nga 29 anëtarë, nevojiten minimalisht 15 vota. Duke qenë se PVD–AL ka siguruar 10 mandate, asaj i duhen edhe 5 vota të tjera. Opsioni më i shpejtë për koalicion është bashkëpunimi me një partner të vetëm: bashkimi me APN-në do të sillte 16 mandate, kurse me PD–LR-në saktësisht 15. Ndërkaq, një marrëveshje eventuale me rivalin kryesor, LPD–PDSH, do të krijonte një bllok prej 18 mandatesh.
Edhe pse një shumicë alternative pa fituesin mbetet teorikisht e mundur, ajo paraqitet dukshëm më komplekse. Koalicioni LPD–PDSH, APN dhe PD–LR së bashku grumbullojnë 19 mandate, numër i mjaftueshëm për shumicë, por asnjë bashkim i dyfishtë mes tyre nuk e kalon pragun e nevojshëm: LPD–PDSH së bashku me APN-në arrijnë në 14 mandate, kurse me PD–LR në 13. Kjo do të thotë se kampi tjetër kërkon dakordësinë e të tria listave, ndërsa Rexhepit i mjaftohet vetëm një partneritet.
Ky është avantazhi strategjik i forcës fituese, i cili nuk qëndron te numri i mandateve, por te pozita e favorshme në tryezën e dialogut politik. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, Shaip Kamberi dhe vetë Enkel Rexhepi konfirmuan se konsultimet me subjektet e tjera do të fillojnë pa humbur kohë.
Në këtë dinamikë, APN dhe PD–LR shërbejnë si peshorja vendimtare e Këshillit. Me përkatësisht 6 dhe 5 mandate, secila prej tyre ka fuqinë të anojë balancën e shumicës nga cilado anë, duke u dhënë një ndikim negociues shumë më të lartë sesa pasqyrojnë shifrat e votave.
Një aspekt tjetër që kërkon vëmendje vjen nga deklarata e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani, e cila falënderoi banorët e kësaj komune për 3.271 votat e dhëna për listën numër 3. Kjo tregon se rreth 69 për qind e mbështetjes për PVD–AL ka ardhur vetëm nga Presheva, ndërsa nga Bujanoci dhe Medvegja janë siguruar rreth 1.500 vota.
Rezultati dëshmon se fituesi mbështetet fort te baza e vet në Preshevë. Nga ana tjetër, lista e APN-së e mbështetur nga kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe koalicioni PD–LR, marrëveshja e të cilit u publikua nga kryetari i PD-së në Bujanoc, Nagip Arifi, zotërojnë lidhje të fuqishme politike atje. Çdo Këshill që synon të flasë në emër të gjithë Luginës e ka të vështirë të anashkalojë këtë komunë, dhe kjo peshë do të reflektohet në tryezën e bisedimeve.
Pavarësisht zhvillimeve, procesi u karakterizua nga një pjesëmarrje e ulët, ku afërsisht gjashtë në dhjetë votues të regjistruar zgjodhën të mos merrnin pjesë. Në Listën e Posaçme Zgjedhore ishin të regjistruar 37.759 shqiptarë, ndërsa me 14.623 vota të numëruara, pjesëmarrja llogaritet rreth 39 për qind, pavarësisht thirrjeve të drejtuesve vendorë dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Forca e parë mori mbështetjen e rreth 13 për qind të të gjithë votuesve të regjistruar. Edhe pse kjo nuk e cënon legjitimitetin e rezultatit, ajo dëshmon se legjitimiteti i plotë i Këshillit të ri do të fitohet përmes punës konkrete dhe jo vetëm përmes deklaratave të fitores.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: