Kronikë
Ish-zyrtari i lartë i EULEX-it lëshon bombën: Rruga drejt Gjykatës Speciale ishte politike, BE synonte Thaçin dhe UÇK-në
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-shefi i Divizionit Ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Mats Mattsson, ka hedhur dritë mbi prapaskenat e hetimeve ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në përgjithësi.
Mattsson ka thënë se që në fillim ka qenë e qartë se i gjithë procesi hetimor kishte natyrë politike dhe jo të motivuar nga drejtësia. Këto deklarata shënojnë herën e parë që një zyrtar i lartë evropian flet kaq hapur në media, duke drejtuar akuza se politikanët ndërkombëtarë kanë shtyrë përpara agjenda të caktuara në rastin e udhëheqësve të UÇK-së.
Sipas tij, e gjithë kjo histori nisi pas pretendimeve të ngritura nga Dick Marty për të aşaquajturën “vjedhje organesh”. Mattsson shpjegon se akuzat e tilla, duke qenë tejet të rënda, u dhanë mundësi politikanëve që të kërkonin nisjen e menjëhershme të hetimeve.
Duke folur për besueshmërinë e dosjeve, ai tregon se Task Forca e Hetimeve të Posaçme (TFPH) vepronte e ndarë nga Misioni i rregullt dhe ishte vendosur në Bruksel, ndonëse formalisht figuronte brenda Divizionit Ekzekutiv. Ajo kishte prokurorët dhe hetuesit e veta, ndërsa EULEX-i në terren nuk kishte ndikim mbi to.
Mattsson kujton se në korrik të vitit 2014, drejtuesi i TFPH-së, Clint Williamson, kishte dalë në përfundimin se nuk kishte baza të mirëfillta ligjore për të vijuar hetimet për ato pretendime, ndërsa vetë misioni kishte dokumentuar se raporti i Dick Martyt ishte tërësisht i gabuar. Megjithatë, sipas tij, përballë kësaj situate, politikanët ndryshuan udhëzimet dhe vendosën t'i dorëzonin në TFPH të gjitha rastet e krimeve të luftës që ndodheshin në dispozicion të misionit.
Vendimi për të vënë në shënjestër UÇK-në, sipas ish-zyrtarit të EULEX-it, u mor ekskluzivisht nga politika dhe jo nga hetuesit apo gjyqtarët e terrenit. Ai thekson se synimi i qartë i politikanëve ka qenë ndjekja penale e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt dhe strukturave të UÇK-së.
I pyetur lidhur me vendimet e mëvonshme gjyqësore dhe dënimet e shqiptuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Mattsson bëri të ditur se nuk posedon të dhëna të detajuara për provat e shpalosura në gjykatë. Ndonëse teorikisht ato mund të kenë pasur mbështetje, problemi kryesor mbetet fakti se nisma e hetimeve nuk ka qenë asnjëherë objektivisht e pavarur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: