Sport
John Bolton bën thirrje për mbylljen e Speciales: Institucion i paligjshëm dhe me prapavijë politike
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i ish-presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka kërkuar hapur shpërbërjen e Gjykatës Speciale, duke theksuar se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmbajnë ngarkesa të theksuara politike.
Gjatë një interviste dhënë për A2CNN, Bolton e ka cilësuar këtë institucion si të paligjshëm, ndërkohë që ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e kontrollit mbikëqyrës dhe dëmet që një qasje e tillë mund t'i shkaktojë drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas tij, formula më e drejtë dhe më e përshtatshme do të ishte që vetë vendet e rajonit, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, të merrnin përgjegjësinë për të hetuar dhe gjykuar ish-udhëheqësit e tyre përmes mekanizmave vendorë dhe të pavarur të drejtësisë.
“Pikëpamja ime është se këto gjyqe kanë pasur një element të rëndë politik dhe nuk është një pyetje abstrakte për të kërkuar drejtësi, për secilin që është përfshirë në konflikt. Qëndrimi im ka qenë prej kohësh se ilaçi më i mirë për sjelljet e tilla të ish-drejtuesve, qoftë në rastin e Serbisë, është që ata vetë të marrin vendimin për të hetuar dhe dënuar ish-liderët e tyre, dhe po ashtu edhe Kosova, për t'i dhënë fund konfliktit dhe për t'i lënë pas ngjarjet e kaluara, duke kërkuar atë drejtësi që vetëm një tribunal i pavarur mund ta bëjë, ndonëse mendoj se ky nuk është rasti i duhur”, u shpreh ai.
Duke shtjelluar më tej idenë e tij, Bolton shtoi: “Të shkuarën me të harruarën, nuk besoj se është forma e duhur, por duhet të arrijë një kohë kur kjo është e vetmja mënyrë për të vepruar. Më e mira është të shikojmë nga e ardhmja, dhe kjo mund të jetë përgjigjja e duhur. Nuk po e paragjykoj, por besoj se nëse inkurajojmë pjekurinë politike, duke i lënë shtetet që të gjykojnë vetë ish-liderët e tyre për vendimet apo gabimet e bëra përmes një trupe të pavarur, ndryshe nuk do ta shohim kurrë fundin”.
I pyetur nëse Gjykata e Hagës po prodhon një precedent shqetësues për lëvizjet çlirimtare anembanë botës, Bolton pranoi se kjo është mjaft e munduar, duke shtuar se interesi dhe mbikëqyrja nga ana e shteteve themeluese tashmë janë zbehur plotësisht.
“Është e mundur, por njerëzit e kanë humbur interesin te ky trup gjykues dhe ideja se vendet që e kanë themeluar do ta mbikëqyrnin atë është shuar. Për mua, kjo lidhet drejtpërdrejt me paligjshmërinë e këtij institucioni dhe nuk pasqyron atë që Shtetet e Bashkuara e kanë besuar për një kohë të gjatë: se rruga e vetme korrekte për të vënë në vend drejtësinë është përmes sistemeve të pavarura prokuroriale dhe gjyqësore të vetë shteteve. Mendoj se kjo gjykatë është e paligjshme dhe shembujt që po përmendni dëshmojnë se trupa dhe prokuroria kanë bërë gabimet e tyre”, u shpreh ai.
Në pyetjen e drejtpërdrejtë nëse Specialja duhet të shpërbëhet, ish-zyrtari i lartë amerikan u përgjigj prerazi: “Sigurisht. Ka kaluar një kohë e gjatë që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, dhe të mendosh se në një pikë të caktuar mund t'i vësh një kapak kësaj, sinqerisht nuk jam i sigurt nëse vendet që e kanë krijuar këtë gjykatë... Nëse dikush është i pakënaqur, nëse Kosova është e pakënaqur, duhet të flasë dhe ta thotë hapur se i kemi arritur kufijtë e tolerimit. Kjo ka tejkaluar çdo gjë që kishim rënë dakord fillimisht”.
“Dikush duhet ta kuptojë se këto trupa gjykues nuk ishin më të mira vetëm sepse ishin ndërkombëtare, dhe se mungesa e mbikëqyrjes mund të çojë në rrethana ku ato dalin nga shinat, marrin drejtime të paimagjinueshme dhe shkaktojnë dëme. Duke u fokusuar në mënyrë ngushtësi-mendore te akuzat për gabimet gjatë luftës, ashtu siç vepruan, ata u japin mundësi palëve për mospajtime dhe shmangin çfarëdo lloj përgjegjësie apo formë papërgjegjshmërie që liderët mund të kenë shfaqur në të kaluarën”, përfundoi deklaratën e tij John Bolton.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: