Kronikë
Komediani turk dënohet me 19 muaj burg për fyerje ndaj Erdoganit
Reklamë e Sponsorizuar
Komediani turk, Deniz Goktas, është dënuar me mbi 19 muaj burg nga një gjykatë në Stamboll, pasi u shpall fajtor për fyerjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe për fyerje ndaj vlerave fetare.
Megjithatë, pavarësisht dënimit, gjykata ka urdhëruar lirimin e përkohshëm të 32-vjeçarit, ndërsa vendimi pritet të shqyrtohet nga gjykata e apelit.
Goktas është shpallur i pafajshëm për akuzën se kishte glorifikuar krimet dhe personat e përfshirë në veprimtari kriminale.
Çështja lidhet me shfaqjen e tij stand-up “Dead Sea”, e cila mori vëmendje të madhe në internet.
Një video e performancës, e publikuar në YouTube, arriti afro 9 milionë shikime, teksa fragmente të tjera të shfaqjes të publikuara nga vetë komediani në rrjetin social X u përhapën gjerësisht.
Sipas aktakuzës, disa prej batutave të Goktas ishin drejtuar ndaj presidentit Erdogan.
Në njërën prej tyre, komediani e kishte cilësuar atë si diktator.
Një pjesë tjetër e akuzave lidhej me batutat e komedianit për Islamin dhe veçanërisht për fundamentalizmin islam.
Ndërsa akuza për glorifikimin e krimeve lidhej me një shaka rreth grupit kriminal të organizuar të njohur si “Daltons”.
Goktas u arrestua më 3 korrik, rreth një javë pasi videoja e shfaqjes u publikua në YouTube, dhe që nga atëherë kishte qëndruar në paraburgim.
Seanca gjyqësore u shoqërua edhe me mbështetje jashtë gjykatës.
Rreth 50 persona u mblodhën në Stamboll, pavarësisht shiut të madh, duke shprehur solidaritet me komedianin dhe duke brohoritur se ai nuk ishte i vetëm.
Në seancë morën pjesë gjithashtu gazetarë, kolegë të tij nga klubi i humorit TuzBiber, si dhe vëzhgues nga ambasada e Holandës dhe konsullata amerikane.
Sipas organizatës turke Media and Law Studies Association, ndaj Goktas janë paraqitur më shumë se 500 ankesa lidhur me shfaqjen e tij.
Rasti ka nxitur diskutime të shumta në Turqi mbi lirinë e shprehjes, humorin politik dhe kufijtë ligjorë të satirës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: