Politikë
Reforma në shëndetësi: Klekovski paralajmëron shtrirjen e terapive onkologjike në spitalet rajonale
Reklamë e Sponsorizuar
Pritjet e gjata, mungesa e personelit mjekësor, e aparaturave diagnostikuese dhe e barnave kanë shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë të ndërmarrë hapa konkretë drejt decentralizimit të shërbimeve në Klinikën e Onkologjisë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka vlerësuar se shpërndarja e terapive në spitale të ndryshme anembanë vendit është një zgjidhje e domosdoshme përballë sfidave aktuale.
“Thelbi është që Klinika e Onkologjisë të mbetet spital qëndror për tu realizuar kapacitetet e trajtimit, por është e domosdoshme që një pjesë e terapive të zhvendosen në disa spitale të tjera sa më afër vendbanimit të pacientëve. Në këtë moment ka rezistenca edhe në Klinikën e Onkologjisë për këtë çështje, do ta them hapur, por edhe në një pjesë të spitaleve klinike ku duhet të praktikohet kjo”, deklaroi Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Megjithatë, kacefali i decentralizimit të kujdesit shëndetësor po shoqërohet me rezistencë, pasi një pjesë e të sëmurëve shprehin frikën se cilësia më e lartë e trajtimit ofrohet ekskluzivisht në kryeqytet. Edhe Shoqata Hema-Onko më parë ka kërkuar që pacientët me kancer të trajtohen vetëm në Qendrën Klinike, duke argumentuar se ky ndryshim mund të ndikojë te cilësia dhe efikasiteti i mjekimit. Pavarësisht kësaj, Klekovski mbetet i vendosur për të testuar funksionalitetin e këtij modeli të ri.
”Gjatë 3 muajve të ardhshëm, po punojmë për regjistrimin dhe miratimin e aktiviteteve në disa spitale jashtë Klinikës së Onkologjisë, konkretisht sa i përket radioterapisë dhe mënyrës se si ajo realizohet’’, u shpreh Sasho Klekovski, Ministër i Shëndetësisë.
Në anën tjetër, statistikat e këtij viti dëshmojnë një shtim shqetësues të rasteve të reja të kancerit, me theks të veçantë te kanceri i gjirit, ku vetëm gjatë kësaj periudhe janë diagnostikuar rreth 1000 raste. Këto shifra të larta eksperët i lidhin drejtpërdrejt me mangësitë në procesin e skriningut dhe mungesën e një diagnostikimi të hershëm.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: