Politikë
Hoxhaj zgjidhet kryetar i Komisionit për Arsim
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është zgjedhur kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për Hoxhajn, kjo paraqet një rikthim në një fushë të cilën e kishte udhëhequr në vitet e para të shtetësisë së Kosovës. Ai ishte ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga janari i vitit 2008 deri në shkurt të vitit 2011.
Mandati i tij në krye të arsimit u karakterizua nga një varg reformash në sistemin arsimor, ndërsa një nga vendimet më të rëndësishme ishte nisja e shpërndarjes së teksteve shkollore falas. Në vitin 2008, për herë të parë u siguruan tekste falas për rreth 200 mijë nxënës të klasave të para deri në të pesta, ndërsa një vit më vonë kjo politikë u zgjerua për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.
Gjatë mandatit të Hoxhajt u ndërmorën edhe hapa për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve. Në vitin 2008 u miratua sistemi i ri i pagave, me rritje të diferencuara sipas kualifikimit profesional, ndërsa në vitin 2010 MASHT-i njoftonte edhe për vendimin për rritjen e pagave të mësimdhënësve për 50 për qind.
Në këtë periudhë nisi gjithashtu procesi i hartimit të kurrikulumit të ri të Kosovës, ndërsa reforma përfshinte rishikimin e planprogrameve, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe vlerësimin e performancës së tyre.
Një tjetër risi ishte pilotimi i mësimit të gjuhës angleze që nga klasa e parë, ndërsa paralelisht u investua në zgjerimin e hapësirave shkollore, ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe pajisjen e tyre me teknologji informative.
Në atë periudhë u zhvilluan gjithashtu politika për licencimin dhe akreditimin e institucioneve arsimore dhe u hapën e u avancuan iniciativa në arsimin profesional dhe atë të lartë.
Pas përvojës së tij si ministër i Arsimit dhe angazhimeve të mëvonshme institucionale, Hoxhaj do ta drejtojë Komisionin Parlamentar për Arsim, një prej komisioneve që trajton legjislacionin dhe politikat që lidhen me sistemin arsimor të Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: