Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kongresistë republikanë kërkojnë të mos i zgjatet licenca Industrisë së Naftës së Serbisë

Redaksia Lajmetereja • 28-09-2026 15:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kongresistë republikanë kërkojnë të mos i zgjatet licenca Industrisë së Naftës së Serbisë
Dy republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që t’i vazhdojë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), raportoi të hënën mediumi amerikan The Hill. NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë së saj është në duart e kompanive ruse. Pronarët rusë gëzojnë 56.15 për qind të aksioneve, prej të cilave 44.85 për qind i përkasin kompanisë shtetërore Gazprom Neft. Kongresistët republikanë Joe Wilson dhe Keith Self i dërguan të premten letër Departamentit amerikan të Thesarit, në të cilën kundërshtuan zgjatjen e lehtësimit nga sanksionet për NIS-in. “Po ju shkruajmë për t’ju kërkuar me respekt që ta rishikoni zgjatjen e të gjitha licencave shtesë të përkohshme që do t’i mundësonin Industrisë së Naftës së Serbisë të vazhdojë punën, pavarësisht sanksioneve amerikane që lidhen me pronësinë e saj ruse”, thuhet në letër. Letra i është drejtuar sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent. NIS-i i kërkoi javën e kaluar Departamentit amerikan të Thesarit t’ia lëshojë një licencë të re, e cila do t’i mundësonte vazhdimin e punës. Licenca e tanishme për NIS-in, e lëshuar nga Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, skadon më 30 shtator. Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e të ardhurave nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë. Për më shumë se një vit, sanksionet janë shtyrë, ndërsa qëkurse kompania hungareze MOL u shfaq si blerëse e interesuar, licenca e OFAC-it për për veprimtarinë e NIS-it është rinovuar periodikisht. NIS-i furnizon 80 për qind të nevojave energjetike të Serbisë, por është në pronësi shumicë të gjigantëve energjetikë rusë Gazprom Neft dhe Gazprom, të cilët janë nën sanksionet e SHBA-së. Wilson dhe Self shprehin shqetësim se përjashtimet po i mundësojnë NIS-it që t’i zvarrisë negociatat për shitjen e aksioneve ruse në kompani. Në janar, kompania hungareze MOL njoftoi se kishte arritur marrëveshje me Gazprom Neft për blerjen e aksioneve të tij në shumicë në NIS, por marrëveshja ende nuk është përmbyllur. “Negociatat për marrëveshjen përfundimtare të blerjes janë ende duke vazhduar, ndërsa MOL-i i ka kërkuar departamentit tuaj miratim të mëtejshëm për vazhdimin e operimit, pavarësisht përparimit të kufizuar”,thanë kongresistët. “Për më tepër, Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe ekonomike me Rusinë dhe, ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës pas pushtimit e Ukrainës në shkurt të vitit 2022”,shtuan ata. Për shkak të lidhjeve mes Serbisë dhe Rusisë, shqetësime janë shprehur edhe në Kongresin amerikan. Gjatë një debati në mesin e shtatorit në Kongres, u shpreh shqetësim dypartiak për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, ndërsa u ngritën edhe pyetje nëse, në kuadër të Dialogut Strategjik SHBA-Serbi, është diskutuar për “ndikimin keqdashës” të Moskës dhe Pekinit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar