Kronikë
Pranohet marrëveshja e fajësisë për ish-kryeprokurorin Haxhi Dërguti dhe Sali Dakajn, ky i fundit kërkon kthimin e 150 mijë eurove
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për të aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të pandehurve: ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe Sali Dakajt. Të dy akuzohen për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit” dhe “Moslajmërimit të veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Në të njëjtin dosje penale figurojnë edhe emrat e Hasan Morinës dhe Liridon Fandajt, mirëpo trupi gjykues ka vendosur që procedura ndaj tyre të ndahet më vete.
Sipas aktakuzës, Sali Dakaj dyshohet se i ka dorëzuar shumën prej 150 mijë eurosh Hasan Morinës, me qëllim që ky i fundit të ndikonte në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemaili lidhur me një çështje përmbarimore. Koordinimi i këtij takimi dhe marrëveshjeje dyshohet se është bërë nga Liridon Fandaj. Ndërkaq, për të gjitha këto lëvizje, hetimet tregojnë se Haxhi Dërguti ka qenë në dijeni, por ka dështuar që t'i lajmërojë autoritetet kompetente.
Gjatë seancës së së mërkurës, prokurori special Valdet Gashi bëri të ditur se marrëveshja e fajësisë me Dërgutin ishte arritur më 29 tetor 2025, ndërsa ajo me Dakajn më 19 dhjetor 2025, në përputhje të plotë me dispozitat ligjore.
Avokati mbrojtës i Dakajt, Bajram Morina, e mbështeti këtë marrëveshje, ndërsa vetë i akuzuari Dakaj, krahas konfirmimit, paraqiti një kërkesë të veçantë për kthimin e mjeteve financiare. “Kërkoj që të më kthehen të hollat që janë marrë nga Morina dhe Fandaj”, u shpreh ai.
Po ashtu, avokati i Dërgutit, Ramë Gashi, bashkë me klientin e tij, konfirmuan vullnetin për pranimin e fajësisë. Gjyqtari i çështjes, Lutfi Shala, sqaroi për Dakajn se marrëveshja është lidhur ngushtësisht me Prokurorinë dhe jo me palët e tjera të përfshira, para se Gjykata të merrte vendimin zyrtar pranues.
Në bazë të kushteve të marrëveshjes, prokurori Gashi propozoi që për Sali Dakajn të caktohet dënim me 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë për “Ushtrim ndikimi”, ku dënimi me burg të mos ekzekutohet brenda një periudhe verifikimi prej dy vitesh, me kusht që të mos kryejë vepra të jaera penale. Ndërsa për Haxhi Dërgutin u propozua po ashtu 1 vit burgim me kusht për një periudhë dyvjeçare.
Të dy të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre i konfirmuan dënimet e propozuara, ndërsa gjyqtari Shala njoftoi se shpallja zyrtare e vendimit do të jepet të hënën.
Gjatë hapjes së seancës, u sqarua se ndarja e procedurës për Hasan Morinën dhe Liridon Fandajn erdhi për shkak të marrëveshjes së hershme të arritur nga Dërguti dhe Dakaj, si dhe për shkak se avokatja e Morinës ishte e angazhuar në një rast tjetër të rëndë penal për “Vrasje”. Ndërkaq, seanca e caktuar më parë për 7 tetor 2026 ishte shtyrë për arsye shëndetësore të të pandehurit Fandaj.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte dorëzuar aktakuzën zyrtare më 3 nëntor 2025 kundër ish-Kryeprokurorit Haxhi Dërguti, Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: