Kronikë
Kthehet në pikën zero: Gjykata e Apelit anulon dënimin prej 13 vitesh burg për Muhamet Alidemajn
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Apelit të Kosovës, përkatësisht Departamenti Special, ka marrë vendim që të aprovojë ankesat e të pandehurit Muhamet Alidemaj dhe të mbrojtjes së tij. Në bazë të këtij vendimi, si dhe sipas detyrës zyrtare, është shfuqizuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i mbajtur me numrin PS.nr.49/25 dhe i datës 02.02.2026, duke e kthyer lëndën në rigjykim. Ndërkohë, për Alidemajn është vendosur vazhsimi i masës së paraburgimit deri në një vendimmarrje të re nga gjykata e shkallës së parë.
Sipas aktgjykimit fillestar të datës 2 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur atë fajtor për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile në bashkëkryerje. Kjo vepër ishte kualifikuar sipas neneve përkatëse të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës. Për këtë akuzë, atij i ishte shqiptuar dënim me burgim prej 13 vitesh, ku i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 30 mars 2021.
Pas shqyrtimit të ankesave, trupi gjykues i Apelit ka vërejtur se në procesin e rivendosjes nuk janë eliminuar mangësitë e theksuara më parë, të cilat kishin shërbyer si arsye për kthimin e çështjes në rishqyrtim. Sipas kolegjit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi shkalla e parë ka dështuar të arsyetojë faktet kyçe që lidhen me kontributin konkret të të akuzuarit në këtë vepër penale.
Gjithashtu, u konstatua se gjykata e shkallës së parë është mbështetur vetëm te dëshmitë e tre dëshmitarëve, duke shpërfillur plotësisht provat e tjera materiale dhe dëshmitë e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa i analizuar ato në mënyrë të ndarë apo në bashkërvështrim me njëra-tjetrën. Po ashtu, nuk ishte dhënë asnjë sqarim lidhur me provat dhe pretendimet e paraqitura nga ana e mbrojtjes. Për këto arsye, Apeli ka udhëzuar shkallën e parë që në rigjykim të bëjë një vlerësim të gjithanshëm të çdo prove veçmas dhe të arsyetojë qartësisht çdo konkluzion të nxjerrë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: