Aktuale
Bashkëpunimi ushtarak: Delegacioni i FARSH-së zhvillon vizitë zyrtare në njësitë kyçe të FSK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të partneritetit të ngushtë ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion i nivelit të lartë nga Komanda Mbështetëse e FARSH-së, i priu nga komandanti i saj, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando, ka ndërmarrë një vizitë zyrtare në Komandën e Logjistikës dhe Gardën Kombëtare të FSK-së.
Gjatë këtij takimi, delegacioni ushtarak u prit nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Valdet Berisha. Ky i fundit njohu mysafirët nga Shqipëria me sfidat, sukseset, zgjerimin e kapaciteteve, si dhe me misionin dhe detyrat funksionale të kësaj komande, duke përfshirë strukturën organizative dhe zhvillimet e deritanishme në sektorin e logjistikës dhe mjekësisë ushtarake.
Më pas, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando u prit edhe nga udhëheqësit dhe stafi i Gardës Kombëtare të FSK-së, ku u njoh në detaj me misionin, potencialin njerëzor e teknik, strukturën dhe ecurinë e kësaj njësie. Pika kyçe e kësaj vizite ishte edhe prania e delegacionit në ceremoninë e mbylljes së Kursit të Kërkim-Shpëtimit Malor – një program i përbashkët trajnimi ndërmjet FSK-së dhe FARSH-së, i cili shërben si dëshmi e qartë e ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit të suksesshëm mes dy ushtrive.
Në përmbyllje të kësaj vizite, palët rikonfirmuan vullnetin e palëkundur për forcimin e mëtejshëm të aleancës ushtarake. U vu theksi te rëndësia e avancimit të kapaciteteve logjistike e mjekësore, mbështetja për Autoritetet Civile përmes realizimit të planeve dypalëshe, si dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i përvojave dhe praktikave më të mira profesionale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: