Aktuale
Lamtumirë pistave të bardha: Skitarja e njohur Michelle Gisin i jep fund karrierës profesionale
Reklamë e Sponsorizuar
Është zyrtare: 32-vjeçarja Michelle Gisin ka vendosur të mbyllë përfundimisht kapitullin e saj në skijimin aktiv. Ajo e ka nisur konferencën për shtyp, të organizuar pranë vendlindjes së saj në Engelberg, me fjalët prekëse: “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme në jetën time. Do t'i jap lamtumirën sportit të skijimit”.
Ky vendim nuk është marrë brenda natës, por është pjekur gjatë muajve dhe javëve të fundit, ndërsa momenti i kthesës përfundimtare u kristalizua në shtator. “Gjatë javëve të fundit isha në pistën e Kupës së Botës në St. Moritz, një vend shumë i veçantë për mua. Aty gjithçka u bashkua, gjithçka mori kuptim. Në zemrën time e ndjeva se ishte mirë kështu. Mbi të gjitha, ndjeva mirënjohje për të gjitha këto vite gjatë të cilave pata mundësinë të garoja aty”, u shpreh Gisin.
Kjo do të thotë se nuk do të ketë më një rikthim zyrtar në gara, pas aksidentit të rëndë që pësoi gjatë stërvitjes së lëshimit në St. Moritz në dhjetorin e vitit të kaluar, ku u dëmtua rëndë duke pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar të gjurit, si dhe lëndime të tjera në shpatull dhe shtyllën kurrizore.
“95 për qind e rikthimit ishte sigurisht i mundur, por për pesë për qindëshin e mbetur nuk isha aq e sigurt. Do t'i kërkohej ende shumë punë për t'u rikthyer”, deklaroi ajo, duke shtuar se ndonëse vetë skijimi nuk përbënte pengesë, ajo nuk ndihej më e gatshme të përballej me gjithçka tjetër që e rrethon këtë sport.
Gjatë muajve të gjatë të rikuperimit, ideja e rikthimit në garat elitare kishte qenë shtysë kryesore. “Gjatë rehabilitimit ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të kisha si synim rikthimin në ski. Prandaj, brenda pak javësh bëra përparim të madh”, përfundoi ajo, duke theksuar se tani mezi pret t'i gëzohet skijimit pa presionin e konkurrimit.
Pavarësisht tërheqjes, Michelle Gisin nuk do t'i ndajë rrugët me botën e bardhë të skijimit. Ajo planifikon të udhëtojë më shpesh për të mbështetur bashkëshortin e saj, 36-vjeçarin Luca de Aliprandini, në garat e tij, ndërsa do të angazhohet zyrtarisht edhe si ambasadore në Kampionatin Botëror në Crans-Montana, ku do të realizojë intervista në zonën e finishit dhe gjatë mbrëmjeve tematike.
Në të njëjtën kohë, Gisin ka nisur një sfidë të re akademike në Universitetin e Luzernit, duke u regjistruar në degët Politikë, Filozofi dhe Ekonomi. Ajo beson se studimet do t'i sjellin një strukturë të re jetës së saj dhe shprehet entuziaste për ambientin e ri: “Aty nuk ka rëndësi nëse kam qenë një skitare e shpejtë apo jo. Aty jam thjesht Michelle”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: