Sport
Formë e lartë në Evropë, Enis Rexhepi sërish protagonist dhe golashënues në UEFA Youth League
Reklamë e Sponsorizuar
Talenti i jashtëzakonshëm nga Kosova, Enis Rexhepi, po kalon një periudhë fantastike në radhët e skuadrës gjermane Stuttgart U-19, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare.
Falë një paraqitjeje dhe një goli vendimtar nga sulmuesi shqiptar, gjermanët kanë arritur të sigurojnë një barazim të rëndësishëm 2:2 në udhëtim ndaj Galatasarayt në Stamboll, duke u rikthyer në shtëpi me një pikë të çmuar.
Momenti kryesor për Rexhepin erdhi në minutën e 49-të të takimit. Pasi përfitoi hapësirë rreth 12-13 metra larg portës, ai lëshoi një predhë të vërtetë duke e dërguar topin në këndin e djathtë të portës kundërshtare, duke vendosur ekuilibrin në shifra 1:1.
Ndërkohë, goli i dytë për gjermanët mbajti firmën e Kenmoe në minutën e 87-të. Nga ana tjetër, për vendasit e Galatasarayt realizuan Luş në minutën e 23-të dhe Tagay në minutën e 73-të.
Pjesë e këtij dueli ishte edhe një tjetër futbollist shqiptar, Almand Idrizi, i cili u hodh në fushë për Stuttgartin duke u aktivizuar si zëvendësues në minutën e 76-të.
Kujtojmë se Enis Rexhepi udhëheq bindshëm listën e golashënuesve në këtë edicion të UEFA Youth League, duke regjistruar deri më tani plot gjashtë realizime personale.
Pas këtij barazimi, Stuttgarti pozicionohet në vendin e 18-të me katër pikë të grumbulluara, ndërsa Galatasaray zë vendin e 30-të me dy pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: