Kronikë
Mungesa e avokatëve shtyn seancën për Erion Veliajn: Gjykata publikon letrën e kryebashkiakut nga qelia e Fierit
Reklamë e Sponsorizuar
Për shkak të mungesës së disa prej mbrojtësve ligjorë, seanca gjyqësore ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë për datën 17 nëntor, në orën 10:00.
Gjatë zhvillimit të seancës, trupi gjykues ka bërë publike një shkresë të mbërritur nga paraburgimi i Fierit, ku Veliaj ka parashtruar pretendimet e tij lidhur me lëvizjen e tij të papritur nga paraburgimi i mëparshëm.
“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishja e rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, citohet në letrën e lexuar në sallën e gjyqit.
Në të njëjtën kohë, nga ana e saj, gjykata bëri me dije se Drejtoria e Burgjeve nuk kishte lëshuar asnjë njoftim zyrtar për transferimin e tij drejt qytetit të Fierit.
Lidhur me akuzat se zhvendosja është urdhëruar drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë Edi Rama, trupi gjykues theksoi se kjo çështje nuk përbën objekt shqyrtimi për këtë proces gjyqësor, duke sugjeruar që Veliaj të ndjekë rrugët ligjore institucionale. Sipas gjykatës, verifikimi i pretendimeve në fjalë i takon ekskluzivisht institucioneve kompetente.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: