Sport
Situata e fruthit në vend: 18 raste të reja brenda një jave, shifra totale arrin në 242 infeksione
Reklamë e Sponsorizuar
Përhapja e fruthit vijon të mbetet aktive në vend, teksa vetëm gjatë javës së fundit janë shënuar 18 raste të reja, duke çuar në 242 numrin e përgjithshëm të të prekurve që nga muaji prill i këtij viti, periudhë kjo kur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vuri re një shtim të numrit të mostrave për analiza.
Specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti, ka bërë të ditur se shifrat e fundit dëshmojnë një qarkullim të vazhdueshëm të virusit, i cili po prek kryesisht fëmijët që nuk i janë nënshtruar procesit të vaksinimit.
"Në përditësimin e fundit të Institutit Kombëtar kemi regjistruar 242 raste të fruthit të cilat i takojnë periudhës nga 16 prilli deri më 26 tetor. Pra, nëse i shohim raportet e fundit dhe përditësimet javore, mund të theksojmë se çdo javë po regjistrohen raste të reja të fruthit, kryesisht te fëmijët e pavaksinuar", ka deklaruar Hoti.
I pyetur nëse ekziston një rrezik për përshkallëzim të situatës epidemiologjike, ai ka theksuar se gjawë shifrave mbetet nën kontroll, megjithëse autoritetet shëndetësore nuk e nënvlerësojnë aspak rrezikun për shkak të komplikimeve të rënda që mund të sjellë kjo sëmundje.
"Në kuptimin e shifrave të përgjithshme, situata është e kontrollueshme. Gjithmonë ka angazhime shtesë për vaksinim të rregullt, por ne e marrim shumë seriozisht sepse fruthi është sëmundje me komplikime serioze", ka shtuar Hoti.
Si pasojë e këtyre shifrave, Klinika Infektive vazhdon të jetë e angazhuar me trajtimin e pacientëve që shfaqin forma më të rënda të sëmundjes.
Infektologu Lirim Tafilaj ka treguar për gjendjen aktuale në këtë klinikë, duke specifikuar se numri i të shtruarve ndryshon vazhdimisht në varësi të fluksit në ordanencat ambulantore.
"Momentalisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar rreth 19 pacientë të konfirmuar me fruth. Disa janë në pritje të rezultateve, pra janë si të dyshimtë për morbillë, derisa më pas na vijnë konfirmimet për rezultatet e tyre. Ky numër lëviz kohë pas kohe në bazë të vizitave ambulantore apo për pacientët që kërkojnë trajtim", ka theksuar Tafilaj.
Sipas të dhënave zyrtare nga IKSHPK-ja për gjashtëmujorin e fundit, vatrat kryesore të infeksionit vazhdojnë të jenë Prishtina me 83 raste, Fushë-Kosova me 58 dhe Ferizaji me 25 raste të konfirmuara, ndërsa grupmosha më e rrezikuar dhe më e prekur mbetet ajo prej 12 deri në 24 muaj, me gjithsej 93 raste të regjistruara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: