Aktuale
Mbledhja e kryesisë së Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ në Zvicër: Vizion i qartë për solidaritetin dhe të ardhmen
Reklamë e Sponsorizuar
St. Gallen, 31 tetor 2026 – Udhëheqësit e Shoqatës Humanitare „Lugina e Preshevës“ në Zvicër u mblodhën në një takim pune për të analizuar rrugëtimin e deritanishëm, për të shtuar bashkëpunimin dhe për të skicuar projekte të reja në shëmbëlltyrë të atdheut dhe diasporës. Ngjarja u zhvillua në një ambient të përzemërt vëllazëror, plot mirëkuptim dhe frymë pozitive, ku u shqyrtua ecuria e organizatës, gjurmët e lëna ndër vite në fushën humanitare e kombëtare, si dhe perspektiva e zgjerimit të nismave në ndihmë të trojeve amë.
Në këtë mbledhje morën pjesë figura kyçe të organizatës, mes të cilëve Fazli Musliu, arkëtar dhe kryetar nderi; Xhavit Sherifi, sekretar; anëtarët e Kryesisë Bejtullah Beluli dhe Abdulla Veseli; si dhe kryetari i Shoqatës, Dashnim Hebibi.
Debati dhe shkmbimi i ideve zgjati rreth tre orë, nga ora 17:30 deri në 20:30, duke dëshmuar angazhimin e palëkundur të të pranishmëve për fatin dhe zhvillimin e mëtejshëm të misionit të tyre. Në mbyllje të takimit, pjesëmarrësit shijuan një darkë të përbashkët, e cila u shtrua falë mikpritjes bujare të Bejtullah Belulit, ndaj të theksohet falënderimi i sinqerë i Shoqatës. Për shkak të pengesave shëndetësore, në takim nuk mund të ishin të pranishëm komandant Shefket Hasani dhe prof. Nasir Rrustemi, të cilëve iu urua shërim i shpejtë, ndërsa Ferat Rashiti, i zënë me pritjen e mysafirëve, pëcolli përshëndetjet e tij të ngrohta përmes kësaj tryeze.
Mbi dy dekada humanizëm, solidaritet dhe përkushtim
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte retrospektiva e dy dekadave të veprimtarisë së kësaj Shoqate në Zvicër. U evokuan përpjekjet, sakrificat dhe puna e palodhur e shumë bashkatdhetarëve që ndër vite kanë dhuruar kohë e energji për t'u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur të pashuar zjarrin e lidhjes me vendlindjen. U vu në dukje se ky aktivitet përfaqëson një histori të vërtetë solidariteti, e cila dëshmohet përmes botimeve të ndryshme, dokumenteve arkivore dhe pasqyrimeve mediatike. Po ashtu, u theksua se puna e Shoqatës është mbështetur gjithmonë mbi shtyllat e vullnetarizmit, transparencës dhe altruizmit, ku lëvizja e anëtarëve është drejtuar nga ndërgjegjja morale e dëshira për solidaritet, e jo nga interesat personale.
Ide të reja dhe përgjegjësi për të ardhmen
Gjatë bashkëbisedimit u hodhën në tryezë propozime konkrete për fuqizimin e misionit humanitar, kulturor dhe kombëtar. Vëmendja u fokusua te gjetja e mekanizmave afatgjatë për ndihmë, ruajtja e kujtesës kolektive dhe shtrëngimi i lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes. U kërkua që mbështetja të shkojë në adresat e duhura, duke iu dhënë përparësi familjeve në nevojë ekonomike, shtresave të ndjeshme, fëmijëve, studentëve dhe çdo individi që kërkon dorën e ngrohtë të solidaritetit. Gjithashtu, u diskutua mbi rëndësinë e ruajtjes së traditave, trashëgimisë kulturore dhe vlerave tona kombëtare, duke hapur rrugë për nisma të reja që lënë trashëgimi për brezat e ardhshëm. Këto ide u mirëpritën si nisma që kërkojnë vëmendje dhe bashkëpunim brenda mundësive reale të organizatës.
Ruajtja e identitetit dhe bashkëpunimi institucional
Aspekt tjetër i rëndësishëm i takimit ishte mbrojtja e identitetit organizativ të Shoqatës, partneritetet me entitete të tjera dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit institucional. U ritheksua se ky subjekt duhet të vijojë rrugëtimin e tij i pavarur, me përgjegjësi të lartë dhe me respekt ndaj rregullave të brendshme, duke mbetur gjithmonë i hapur për ura bashkëpunimi me organizata dhe individë që ndajnë të njëjtat vizione.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: