Politikë
64-vjetori i lindjes së Zahir Pajazitit, Vlora Çitaku: Heronjtë nuk vdesin kurrë, ata kanë vetëm ditëlindje
Reklamë e Sponsorizuar
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka nderuar figura e shquar e kombit, Zahir Pajaziti, me rastin e 64-vjetorit të tij të lindjes.
Përmes një postimi publik, ajo ka ndarë ndjenjat e saj rreth ndikimit që ka shtatorja e heroit, duke theksuar se qëndrimi i tij prej luftëtari vazhdon të përcjellë mesazhe frymëzimi dhe shprese për të gjithë.
"Sa herë e shoh shtatoren e Zahir Pajazitit, më frymëzon ai hap përpara. Ka diçka të vendosur e plot jetë në atë qëndrim, sikur gjithmonë ka një rrugë për të vazhduar e një punë të mirë për të bërë për vendin", ka shprehur ajo në mesazhin e saj.
Duke e cilësuar Pajazitin si njërën nga krismat e para të lirisë së vendit, Çitaku ka vënë inë pah se ai mbetet përgjithmonë i gjallë dhe i ri në memorie e kolektive të popullit tonë.
"Një ndër pushkët e para të lirisë, që vazhdon të na japë zemër edhe nga përjetësia. Sepse heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Urime 64-vjetorin e lindjes, trimi ynë!", ka shtuar tutje ajo.
Kontributi dhe sakrifica e jashtëzakonshme e Zahir Pajazitit janë kurorëzuar edhe në rrafshin institucional. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies së tij heroike, ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, e kishte dekoruar me urdhrin më të lartë shtetëror të Kosovës, “Hero i Kosovës”.
Për ta shënuar këtë datë të rëndësishme historike, Komuna e Podujevës në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë sot aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në Kompleksin Memorial në Orllan. Nderime për jetën dhe veprën e heroit do të bëjë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të vendosë kurora lulesh pranë shtatores së tij në kryeqytet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: