Sport
Spektakël katër-golësh në “Allianz Arena”: Derbi mes Bayernit dhe Dortmundit mbyllet pa fitues
Reklamë e Sponsorizuar
Bayerni i Munihut dhe Borussia Dortmundi kanë ndarë pikët pas një barazimi spektakolar 2:2 në superderbin e futbollit gjerman, i vlefshëm për javën e tetë të Bundesligës.
Përballja e zhvilluar në stadiumin “Allianz Arena” dhuroi katër gola, rivalitet të madh dhe emocione të papara deri në sekondat e fundit, duke lënë të hapur garën në krye të tabelës.
Pas një goli të anuluar për mysafirët, ishin vendasit ata që zhbllokuan shifrat në minutën e 38-të. Michael Olise dhuroi një pasim të saktë në thellësi për Konrad Laimer. Edhe pse gjuajtja e parë u ndal nga portieri Gregor Kobel, Laimer tregoi vigjilencë duke e dërguar topin në rrjetë në tentimin e dytë për 1:0.
Pjesa e dytë nisi me intensitet të lartë dhe në minutën e 56-të, sulmuesi anglez Harry Kane pati një mundësi të artë. Me stilin e tij karakteristik, ai goditi fuqishëm drejt këndit të sipërm të majtë, por topi u ndal nga traversa, duke i mohuar golin sulmuesit të njohur.
Megjithatë, Dortmundi nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat në minutën e 60-të. Nico Schlotterbeck rikuperoi një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe nisi aksionin te Carney Chukwuemeka, i cili hyri në zonë dhe pasoi te Serhou Guirassy. Ky i fundit realizoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme dhe të pandalshme në këndin e majtë, duke barazuar rezultatin në 1:1.
Përparësia e bavarezëve u rikthye vetëm gjashtë minuta më vonë. Joshua Kimmich harkoi bukur për Harry Kane, i cili me kokë e kërkoi Dayot Upamecanon, kurse mbrojtësi francez nga afërsia e pati të lehtë të shënojë për 2:1.
Kur triumfi dukej se i takonte skuadrës vendase, Dortmundi hodhi “nokaut” në minutën e 89-të. Fabio Silva përfitoi nga një tollovi në zonën e rreptësisë dhe reagoi rrufeshëm, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për të vendosur shifrat përfundimtare 2:2.
Pas këtij barazimi dramatik, Bayerni vazhdon të udhëheqë renditjen tabelare me 18 pikë, aq sa ka edhe Borussia Dortmundi, e cila pozicionohet menjëherë pas në vendin e dytë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: