Politikë
Bajrami godet Qeverinë: Buxheti u filtrua në parti, Kurti po shkel afatet me mburrje
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësime të fuqishme lidhur me vonesat në miratimin e Projektligjit për Buxhetin, duke theksuar se sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ekzekutivi ka detyrim ligjor që këtë dokument t'ia paraqesë Kuvendit më së voni deri më 31 tetor.
Sipas ligjvënëses së LDK-së, kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur që t'i shkelë këto afate hapur dhe pa asnjë ngurrim. Ajo ka vënë në dukje se ndërsa legjislacioni përcakton qartë hierarkinë e institucioneve shtetërore, në praktikën e kësaj qeverie është partia ajo që vendos rregullat.
“Sot është 31 tetori, por Projektligji për Buxhetin e vitit 2027 ende nuk është miratuar në Qeveri. Kryeministri Kurti paska paralajmëru në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij se buxhetin do ta miratojë të hënën, më 2 nëntor. Vitin e kaluar, pikërisht më 31 tetor, Kurti mburrej se po e miratonte buxhetin brenda afatit ligjor. Sivjet, paska vendosë me mburrje me e shkelë edhe këtë afat. Por, meqë tashmë veç kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti i Republikës fillimisht ''kaloj'' filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pastaj do të miratohet në Qeveri dhe pas çdo afati ligjor do t'i dërgohet Kuvendit. Ligji e përcakton rendin e institucioneve, por për Albin Kurtin partia s'pyet për ligj e afate ligjore, partia e përcakton rendin e gjerave”, ka deklaruar Bajrami.
Duke vijuar kritikat e saj, ajo ka potencuar se qytetarëve nuk u bëhet vonë për shifra marramendëse të përmendura në konferenca për shtyp, por kërkojnë ndryshime reale dhe punë të kryera në terren.
“Një gjë është me i nda 1 miliard euro në letër, e krejt tjetër me i shndërru ato në rrugë, shkolla, spitale e projekte të përfunduara. Qytetarëve nuk u duhen miliarda në konferenca e mbledhje partiake. U duhen rezultate! Qytetarëve u duhet siguri fizike e juridike, respektim i ligjit nga krerët e shtetit, sepse nëse Qeveria nuk i respekton ligjet dhe afatet ligjore, qysh ka me kërku këtë prej vartësve të vet? Buxheti është i shtetit/qytetarëve, jo i partisë. Ligji dhe afatet ligjore vlejnë dhe duhet të respektohen edhe nga qeveritarët”, ka përfunduar ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: