Politikë
Lojërat Mesdhetare 2030: Kurti konfirmon përfshirjen e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se komunat si Peja, Gjakova dhe Prizreni do të jenë nikoqire të garave në kuadër të Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030".
Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (KOLM) ka mbajtur takimin e radhës, ku në fokus kanë qenë shqyrtimi i draftit të Masterplanit, projektet prioritare dhe mbarëvajtja e përgatitjeve për këtë ngjarje të madhe sportive.
Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se është rikonfirmuar parimi i shtrirjes së Lojërave sipas konceptit të paraqitur në Librin e Kandidaturës, duke përfshirë edhe qendrat e tjera jashtë kryeqytetit.
“Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj, bashkë me komunat e tjera, kanë qenë pjesë e propozimit të Kosovës që nga aplikimi. Pikërisht me këtë koncept Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka shtuar se shpërndarja e disiplinave sportive në këto komuna dhe funksionalizimi i hapësirave ekzistuese do të integrohen në versionin përfundimtar të Masterplanit, i cili vazhdon të jetë në fazë shqyrtimi.
Në këtë planifikim strategjik janë integruar edhe investimet aktuale në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, si dhe në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
“Këto investime mbështesin zhvillimin e sportit nëpër komuna dhe mbeten në shërbim të sportistëve edhe pas përfundimit të Lojërave”, ka theksuar Kurti.
Agjenda e takimit ka trajtuar edhe ecurinë e punimeve në projektet kyçe, ku bëjnë pjesë Qendra e Studentëve si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.
Po ashtu, gjatë diskutimeve është rivlerësuar pesha e Stadiumit Nacional si një projekt me interes shtetëror për avancimin e infrastrukturës sportive në vend.
Për ceremonitë e hapjes dhe mbylljes, autoritetet kanë shqyrtuar mundësinë e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri” me kapacitet të zgjeruar, ndërkohë që do të analizohen me kujdes parametrat organizativë dhe afatet kohore të nevojshme.
Në përmbyllje të mbledhjes, palët u dakorduan që KOLM të dalë me një qëndrim unik në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku do të parashtrohen hapat e radhës në procesin e përgatitjeve.
“Anëtarët shprehën njëzëri përkushtimin për organizimin e suksesshëm të Lojërave, duke theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka përfunduar Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: