Politikë
Prishtina 2030: Mblidhet Komiteti Organizativ, Kurti kërkon koordinim për përgatitjet dhe investimet
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë gjatë paradites së sotme në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) ‘’Prishtina 2030’’, ku në fokus ka qenë shqyrtimi i ecurisë së deritanishme të përgatitjeve dhe përcaktimi i hapave të ardhshëm.
Gjatë kësaj mbledhjeje janë diskutuar gjerësisht edhe temat e ngritura së fundmi përmes komunikimit zyrtar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), me qëllim të mbarëvajtjes së punës dhe intensifikimit të bashkëpunimit për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm.
Në fjalën e tij hapëse, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, vuri theksin te synimi i përbashkët për një organizim sa më të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare ‘’Prishtina 2030’’, duke bërë thirrje për një angazhim maksimal dhe bashkëpunim të ngushtë përgjatë gjithë procesit përgatitor.
“Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër”, deklaroi kryeministri Kurti.
Në përmbyllje, kryeministri rikonfirmoi se Qeveria e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar në realizimin e premtimeve të dhëna që nga faza e kandidaturës, duke shtuar se ky nivel dedikimi duhet të karakterizojë punën e secilit pjesëmarres në këtë proces.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: