Sport
Talenti kosovar shkëlqen në Gjermani, Fekmi Kongjeli flet me superlativa për Leon Parduzin
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti 19-vjeçar nga Kosova, Leon Parduzi, po lë gjurmë të rëndësishme në futbollin gjerman. Përveç aftësive të spikatura në fushën e blertë, ai po merr vlerësimet më të larta edhe për natyrën e tij modeste, edukatën shembullore dhe mirënjohjen e treguar ndaj mbështetësve të tij ndër vite.
Këto përshtypje pozitive i ka ndarë Fekmi Kongjeli, i cili bashkë me Kujtim Ibrahimajn ishte i ftuar special i talentit kosovar në stadiumin e Holstein Kielit. Ata ndoqën nga afër sfidën e vlefshme për raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë kundër Hoffenheimit, ku aktivizohen edhe tre lojtarë të kombëtares tonë: Fisnik Asllani, Albion Hajdari dhe Leon Avdullahu. Kongjeli e falënderoi përzemërsisht lojtarin për mikpritjen, duke e vënë theksin te personaliteti i tij prej sportisti dhe njeriu.
“Përveçse po ndërton një karrierë të ndritur në futbollin gjerman, në moshën vetëm 19-vjeçare, Leon Parduzi shquhet edhe për vlerat e tij të larta njerëzore, edukatën, modestinë, mirënjohjen dhe respektin ndaj atyre që e kanë përkrahur ndër vite në rrugëtimin e tij drejt futbollit elitar gjerman”, u shpreh Kongjeli.
Po ashtu, ai veçoi patriotizmin e mesfushorit të ri, duke e lidhur këtë dashuri për vendlindjen me brumit e marrë në gjirin familjar.
“Të gjitha këto virtyte, e në veçanti dashurinë për atdheun, të cilën e dëshmon si pjesë e Kombëtares së Kosovës, Leoni i ka të trashëguara nga familja e tij, e cila e ka rritur dhe frymëzuar me këto vlera. Këto janë vlera që i karakterizojnë edhe shumë familje shqiptare, të cilat i kanë edukuar fëmijët e tyre të bëhen ambasadorë të denjë të popullit dhe të shtetit tonë të dashur, Kosovës, në mbarë botën”, shtoi më tej ai.
Në rrafshin sportiv, Holstein Kieli i Leon Parduzit siguroi biletën për në fazën e 1/8 së finales në Kupën e Gjermanisë, pasi eliminoi Hoffenheimin përmes ekzekutimit të penalltive me rezultatin 4:3, ndërkohë që koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën në barazim 1:1. Parduzi kontribuoi në fushë për 103 minuta, te Hoffenheimi Leon Avdullahu e nisi ndeshjen nga minuta e parë, kurse Fisnik Asllani u hodh në lojë në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 46-të.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: