Sport
Natë e hidhur në “San Siro”: Bologna trondit Milanin me katër gola dhe përmbysje spektakolare
Reklamë e Sponsorizuar
Milani dhe mesfushori shqiptar Ardon Jashari kanë përjetuar një zhgënjim të madh para tifozëve të tyre, pasi janë mposhtur në shtëpi nga Bologna me rezultat 2:4, në kuadër të javës së nëntë në Serie A. Përkundër angazhimit të plotë të Jasharit, i cili luajti përgjatë 90 minutave, kuqezinjtë nuk arritën të menaxhonin epërsinë e krijuar gjatë sfidës.
Dueli në “San Siro” solli një ritëm të lartë dhe kthesa të njëpasnjëshme në rezultat. Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 8-të, kur pas një gabimi të Musah, Pobega asistoi te Zortea, ndërsa ky i fundit harkoi saktë për Mbangulën, i cili zhbllokoi shifrat në 0:1.
Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 14-të, një lëshim i Theate i dha mundësinë Cisses të barazonte shifrat në 1:1. I njëjti lojtar u shfaq sërish protagonist në minutën e 27-të, duke kurorëzuar me gol një harkim të bukur nga Tomori, me një goditje akrobatike që kaloi portierin Skorupski dhe kaloi Milanin në epërsi prej 2:1.
Kur pritej që vendasit ta kontrollonin takimin, Bologna tregoi edhe një herë karakter ndaj gjigantëve italianë, duke realizuar një rikthim të fuqishëm në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të, pas një harkimi nga goditja e dënimit e, Miranda forcoi presionin, ndërsa Bartesaghi shënoi në portën e tij gjatë përpjekjes për ta larguar topin, duke barazuar rezultatin në 2:2.
Pa kaluar ende një minutë nga ky gol, skuadra nga Emilia-Romagna kaloi sërish në avantazh. Juan Miranda depërtoi rrezikshëm nga krahu i majtë dhe krosoi në zonë, ku Mbangula mposhti në duel ajror Diawaran dhe fitoi portierin Maignan për 2:3. Goditjen përfundimtare kësaj përballjeje ia dha sërish Mbangula në minutën e 86-të, i cili shënoi në portën e boshatisur pas asistimit të Jens Odgaard, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:4.
Pas këtij dështimi në shtëpi, Milani mbetet në kuotën e 18 pikëve, duke u renditur në pozitën e pestë në tabelë, kurse Bologna ngjitet në vendin e 11-të me 11 pikë të mbledhura pas nëntë xhirove.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: