Sport
Kushti i Sllovenisë për Beogradin: Pa dorëzimin e arkivave të UDBA-së nuk ka rrugë evropiane
Reklamë e Sponsorizuar
Zhvillimet e fundit politike dhe fitorja e Listës së Studentëve në Serbi kanë nxitur valë reagimesh në të gjithë rajonin. Edhe pse ende nuk kanë nisur zyrtarisht procedurat për formimin e kabinetit të ri qeveritar në Beograd, kryeministri slloven, Janez Jansha, ka vendosur një kusht të prerë për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të arkivave të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë që i përkasin Sllovenisë.
Sipas informacioneve të transmetuara nga burimet mediatike kroate, kreu i qeverisë sllovene ka bërë të qartë se Ljubljana zyrtare do të bllokojë çdo hapësirë përparimi të Serbisë drejt BE-së, nëse autoritetet serbe nuk dorëzojnë dokumentacionin e dikurshëm të shërbimeve informative dhe strukturave ushtarake jugosllave.
Nëpërmjet një deklarate të publikuar në platformën sociale X, Jansha ka theksuar se megjithëse Sllovenia mirëpret çdo hap të udhëheqjes së re serbe drejt përshpejtimit të negociatave për anëtarësim, ky proces do të kushtëzohet rreptësisht nga dorëzimi i dosjeve arkivore.
“Ne nuk do të japim pëlqimin për asnjë përparim derisa Serbia t’ia dorëzojë Sllovenisë të gjitha arkivat e UDBA-së, SDV-së, JNA-së, ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të ish-RSFJ-se që lidhen me Slloveninë”, ka deklaruar kryeministri slloven.
Krahas këtij qëndrimi, Jansha ka rishpërndarë edhe një shkrim të Igor Omerzes, i cili flet për komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Pas triumfit të Listës së Studentëve në Serbi, Kos kishte deklaruar se dyersh e bllokut evropian mbeten të hapura për Beogradin, deklaratë kjo që solli reagime të reja.
Duke iu referuar botimit të tij kushtuar komisioneres Kos, Omerze ka hedhur pretendime për lidhjet e saj të dikurshme me UDBA-në, organin e sigurisë shtetërore të ish-Jugosllavisë. Ai ka argumentuar se dëshmitë dokumentare për këtë çështje gjenden pikërisht në ato arkiva, hapja e të cilave do të ndihmonte në zbardhjen e bashkëpunëtorëve të dikurshëm të strukturave sekrete.
“Është e mundur që edhe ky dokumentacion të gjendet. Bashkimi Evropian ka kërkuar prej kohësh që të hapen të gjitha arkivat sekrete të policisë politike, përfshirë atë serb. Ata do të duhet ta bëjnë këtë pa mua ose kryeministrin Jansha”, ka shkruar Omerze, duke shtuar se kjo çështje mbetet kyçe për të kuptuar funksionimin e këtyre strukturave dhe identitetin e bashkëpunëtorëve të UDBA-së në Slloveni.
Në anën tjetër, sipas mediave sllovene, Marta Kos nuk ka dashur t'i komentojë drejtpërdrejt këto akuza, ndërkohë që në vazhdimësi i ka hedhur poshtë pretendimet se ka shërbyer ndonjëherë si informatore për shërbimin sekret jugosllav.
Debati rreth këtyre deklaratave ka prodhuar përplasje edhe brenda skenës politike sllovene. Deputeti dhe njkohësisht sekretari i partisë Svoboda, Matej Grah, ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit, duke e akuzuar se po e shfrytëzon këtë temë për llogari të agjendave të brendshme politike.
“Nuk kam problem me kete. Ne e dimë se si Donald Trump u dogj kur hapi disa dokumente, dhe ndoshta edhe z. Jansha do të digjet. Pjesa më problematike është se kreu i ekzekutivit po e shfrytëzon qartë këtë situatë dhe këtë fitore të demokracisë për hesap të përballjeve të brendshme politike me kundërshtarët e tij të përhershëm”, u shpreh Grah.
Debati i hapur rreth hapjes së arkivave të shërbimeve të fshehta dhe e kaluara e zyrtarëve të lartë evropianë po zhvillohet në një periudhë tejet delikate, ku rezultatet e zgjedhjeve në Serbi kanë vënë në lëvizje diskutimet mbi kursin e ardhshëm politik të vendit dhe të ardhmen e tij eurointegruese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: