Politikë
PLD: Qeveria po e kthen administratën publike në një vegël partiake, si në kohën e Gruevskit
Reklamë e Sponsorizuar
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Partisë Liberale Demokratike (PLD), Dejanço Cvetanovski, e ka cilësuar si plotësisht të papranueshme nismën e ekzekutivit për të zgjeruar administratën, në një kohë kur qytetarët poballafaqohen me vështirësi të mëdha ekonomike, duke numëruar çdo denar për të mbyllur muajin mes faturave dhe shpenzimeve elementare për ushqim.
"Në vend që të investojë në digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe institucione më efikase, qeveria rrezikon të krijojë një sistem edhe më të shtrenjtë që përsëri do të paguhet nga qytetarët. Populli po shtrëngon rripat, dhe qeveria po shtrëngon radhët e makinerisë partiake! A është ky vizioni i tyre për një Maqedoni moderne? Kosto më të larta, më shumë burokraci dhe institucione në të cilat interesat partiake do të jenë më të rëndësishme se ekspertiza dhe kualifikimet?", ka deklaruar ai.
Sipas Cvetanovskit, kjo situatë sjell në kujtesë praktikat e rrezikshme të epokës së Gruevskit, periudhë gjatë së cilës aparati shtetëror u vu nën kontrollin e ngushtë partiak, ndërsa faturën e llogarive politike e paguanë qytetarët. Ai theksoi domosdoshmërinë që shteti të mos shndërrohet sërish në shërbim të forcave politike që udhëheqin vendin.
Çdo person që punon ndershëm meriton siguri, dinjitet dhe mbrojtje të përshtatshme. Megjithatë, kjo nuk duhet të jetë justifikim për anashkalimin e kritereve, neglizhimin e kualifikimeve dhe krijimin e një barre shtesë mbi financat publike. Nevojiten procedura transparente, administratë profesionale dhe mundësi të barabarta për të gjithë, jo zgjidhje që ngrenë dyshime për punësimin partiak, ka shtuar tutje Cvetanovski.
Në përmbyllje, ai ka ngritur dilemën se në kushtet e rënda ekonomike që rëndojnë mbi buxhetin e çdo familjeje, shtrohet pyetja thelbësore: a po fokusohet Qeveria te zgjidhja e halleve të qytetarëve, apo po përgatit terrenin dhe infrastrukturën e saj partiake për betejat e ardhshme zgjedhore?
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: