Sport
Tensionet pas derbit, Galatasaray lëshon komunikatë të ashpër ndaj Fenerbahçes
Reklamë e Sponsorizuar
Galatasaray ka siguruar një fitore tejet të rëndësishme mbrëmë në “RAMS Park”, duke triumfuar ndaj Fenerbahçes me rezultatin 2:1, falë dy supergolave të sulmuesit nigerian, Victor Osimhen. Megjithatë, përfundimi i ndeshjes u la në hije nga incidentet dhe përleshjet fizike mes lojtarëve të të dyja skuadrave.
Kjo situatë ka sjellë edhe reagimin zyrtar nga klubi i Galatasarayt, i cili u është kundërpërgjigjur ashpër rivalëve të përbetuar, duke i akuzuar lojtarët si Archie Brown, Kerem Akturkoglu dhe Mert Hakan Yandas për sjellje agresive në fushë.
Në reagimin e klubit thuhet se deklarata e lëshuar nga pala kundërshtare pas derbit është ilustrimi më i mirë i shprehjes “Hajduti dinak fajëson pronarin e shtëpisë”, duke shtuar se ata po përpiqen të kompensojnë dështimet e tyre shumëvjeçare në fushë përmes pretendimeve të rreme dhe manipulimit të opinionit publik.
Galatasaray ka theksuar se provokimet nga skuadra kundërshtare kishin nisur që në momentin e hyrjes në stadium dhe gjatë gjithë sfidës. Sipas tyre, është e papranueshme që Kerem Aktürkoğlu, i cili sipas klubit duhet të ndëshkohej me karton të kuq që në minutën e 10-të, mori vetëm një ndëshkim me karton të verdhë, pavarësisht se nxiti tensionet dhe ishte protagonist në incidentet e fundit të ndeshjes.
Gjithashtu, klubi ka dënuar ashpër veprimet e Archie Brown, duke i cilësuar si ndërhyrje josportive dhe duke e quajtur sulmin e tij fizik ndaj kapitenit Abdülkerim Bardakcı si një akt të rëndë që shkel vlerat e sportit dhe nuk ka vend në fushën e blertë.
Në njoftim u përmend edhe sjellja e Mert Hakan Yandaş ndaj forcave të rendit që po ruanin sigurinë, duke vlerësuar se akuzat e pabazuara synojnë vetëm mashtrimin e tifozëve të tyre, ndërsa askush nuk duhet të besojë në këto manipulime.
Galatasaray ka përgëzuar stafin teknik dhe lojtarët për qetësinë dhe dinjitetin e treguar përballë provokimeve, duke u bërë thirrje edhe tifozëve që të ruajnë gjakftohtësinë para çdo situate brenda dhe jashtë stadiumit.
“Ne do të vazhdojmë të fitojmë në fushë dhe do të ruajmë qëndrimin që i përshtatet madhështisë së Galatasarayt jashtë fushës. Zhurma kalon, por e vërteta mbetet. Dhe në fund të fundit, e mira gjithmonë triumfon”, thuhej në fund të komunikatës së klubit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: