Sport
Histori në Ferizaj: Kastrioti mposht Besa Famgasin dhe shpallet fitues i Superkupës së Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Një atmosferë elektrizuese dhe një ndeshje e mbushur me emocione kulmore ka karakterizuar përballjen për Superkupën e Kosovës në hendboll, ku Kastrioti ka shkruar histori duke e fituar këtë trofe për herë të parë në historinë e klubit.
Në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, e cila ishte e mbushur me mbi 2000 shikues, vendasit triumfuan ndaj Besa Famgasit me rezultat të ngushtë 27:26. Fitorja u vulos në sekondat e fundit të takimit, duke i dhuruar publikut një spektakël të vërtetë sportiv.
Heroi i mbrëmjes për ferizajasit ishte Jeton Bislimi, i cili shënoi golin e vendimtar pak para rënies së sirenës përfundimtare. Ky sukses e bën Kastriotin një skuadër dominuese, pasi ata aktualisht mbajnë edhe titullin e kampionit, edhe atë të fituesit të Kupës së Kosovës.
Sfidën e nisi më mirë skuadra pejane, e cila krijoi një epërsi prej katër golash gjatë pjesës së parë, por vendasit arritën ta barazojnë rezultatin në 14:14 para se skuadrat të shkonin në pushim. Besa Famgas e nisi furishëm pjesën e dytë duke u shkëputur në 20:15, mirëpo përkrahja e zjarrtë e tifozëve i dha krahë Kastriotit për t'u rikthyer në lojë.
Në minutën e 60-të, Patryk Gregulowski barazoi shifrat, ndërsa pas dështimit të Besës për të shënuar në aksionin e fundit, Kastrioti shfrytëzoi rastin për ta rrëmbyer fitoren. Gregulowski ishte golashënuesi më i mirë i takimit me gjashtë gola, i ndjekur nga Bislimi me pesë të tillë. Për mysafirët, Deniz Terqizi realizoi tetë gola, ndërsa Ilir Istrefaj, Jon Muqolli dhe Yassine Henahen shënuan nga katër herë.
Ceremonia e ndarjes së medaljeve u krye nga presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Edin Kolgeci, dhe nënpresidenti Xhavit Morina. Trofeu i çmuar i Superkupës iu dorëzua kapitenit të Kastriotit, Beni Sula, nga presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: