Sport
Kërcënimi ndaj Lojërave Mesdhetare 2030, ish-sekretari i KOK-ut ngre alarmin për pasojat e rënda
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Shasivar Haxhijaj, ka ngritur alarmin mbi pasojat negative që mund të pasojnë për vendin tonë në rast të një dështimi në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin SportCast, Haxhijaj theksoi se mosmarrëveshjet dhe përplasjet ndërmjet dy figurave kyçe po e vënë në rrezik serioz këtë projekt historik. Sipas tij, një dështim i mundshëm në këtë ngjarje madhështore do të sillte si pasojë humbjen e besueshmërisë ndërkombëtare, duke e bërë pothuajse të pamundur që Kosovës t'i besohen organizime të tjera të ngjashme sportive në të ardhmen.
Duke vënë në pah rolin vendimtar që ka luajtur sporti në ngritjen e reputacionit të shtetit tonë në arenën globale, Haxhijaj veçoi sukseset e bujshme të sportistëve tanë, duke përfshirë pesë medaljet olimpike – tri prej të cilave të arta – si dhe sukseset e tjera evropiane dhe botërore.
“Nëse ka diçka në Kosovë që është krijuar për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, le ta di secili, që sporti i Kosovës ka qenë ai që i ka dhënë imazh Kosovës. Edhe ato sidomos medaljet e arritura, duke përfshirë tre medaljet e arta në Lojëra Olimpike, pastaj dy të tjera që kanë ardhur në Lojërat e fundit. Pesë medaljet olimpike, edhe medaljet evropiane, mesdhetare, dhe të tjerat. Pa i anashkaluar edhe medaljet botërore të kampionateve evropiane të federatave, që janë elitare të gjitha. Dhe këto i kanë dhënë imazh të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare Kosovës. Mua më kujtohet, prej medaljes së parë olimpike kur e kemi marrë me Majlindën, komplet trajtimi i gjithë lëvizjes olimpike ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën. Domethënë, nëse deri atëherë nuk jemi vërejtur fare prej të tjerëve, automatikisht, krejt bota ka filluar me na vërejë. Mos të flasim kur kanë ndodhur dy medaljet e arta të tjera. E ka ndryshuar komplet imazhin. Ajo çka nuk e besoj, ajo çka nuk dua ta besoj është që ky imazh i Kosovës, i sportit të Kosovës të prishet për bajraktarizëm. Pse jam unë, mos të jetë ai tjetri”, deklaroi Haxhijaj.
Ai rikujtoi ndikimin e madh që pati medalja e artë e xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila shënoi pikën e kthesës për trajtimin e lëvizjes olimpike vendase në rrafshin ndërkombëtar, duke kërkuar që ky imazh i brishtë të mos dëmtohet për shkak të egove dhe mosmarrëveshjeve personale mes drejtuesve.
Në vijim të fjalës së tij, ish-sekretari i KOK-ut u tregua i prerë se bllokadat aktuale janë rezultat i inateve personale, të cilat rrezikojnë të lënë pasoja afatgjata për sportin kosovar.
“Krejt problemin e kemi dhe duhet me ia heq që thonë pleqtë, petën lakrorit, për dy figura, krejt ky rrezikim është duke ndodhur. Domethënë pse nuk munden ta durojnë njëri tjetrin. Mua fare nuk më intereson kjo pjesë. Unë jam një prej njerëzve që kam kontribuar në sport dhe raportet mes atyre dy njerëzve nuk më interesojnë. Mua më interesojnë ata t’i kalojnë ato edhe t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare. Mos ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, e të sportit të Kosovës, sepse po iu garantoj që edhe 20 vite, 30 vite tjera askush nuk do të flas më për Kosovën me i dhënë ndonjë garë serioze për organizim”, u shpreh ai.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 mbeten një nga nismat më strategjike për modernizimin e infrastrukturës sportive në vend dhe dëshminë e aftësive organizative të Kosovës përballë komunitetit ndërkombëtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: