Sport
Mbappe kundërpërgjigjet ashpër pas triumfit në El Clásico: Kush e vë në dyshim cilësinë tonë, gënjen
Reklamë e Sponsorizuar
Real Madridi ka triumfuar me rezultatin 2-1 në udhëtim ndaj Barcelonës në “Spotify Camp Nou”, megjithatë sulmuesi Kylian Mbappe ka theksuar se kjo fitore e madhe nuk zbeh standardet e larta që kërkohen në kampin e “Los Blancos”.
Ky sukses i bujshëm shënon një moment kyç për madrilenët, të cilët synojnë të stabilizojnë formën e tyre dhe të ruajnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në kampionat.
Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit, Real Madrid TV, pas përfundimit të supersfidës ndaj rivalit të përjetshëm, ylli francez ka marrë në mbrojtje grupin, duke u dhënë një përgjigje të prerë zërave kritikë që kanë hedhur dyshime mbi potencialin e skuadrës.
“Kush thotë se nuk ka cilësi në këtë ekip, është gënjeshtar. Protagonist i ndeshjes së sotme është ekipi, grupi, sepse e dinim se duhej të zhvillonim një ndeshje burrash, një ndeshje si skuadër. Ishte një ndeshje e madhe, por llogaritet vetëm si tri pikë dhe duhet të grumbullojmë edhe shumë pikë për ta fituar La Ligën”, u shpreh sulmuesi nga Les Ulis.
Dy golat e shënuar kundër katalunasve i dhanë mundësi yllit francez të kapë shifrën jubilare prej 100 golash me fanellën e Real Madridit. Pavarësisht kësaj arritjeje historike, ai ka preferuar që fokusi të mbetet te triumfi kolektiv.
“Të gjithë e dinë se më pëlqen të shënoj gola dhe ta ndihmoj ekipin në këtë mënyrë, por gjëja më e rëndësishme është fitorja e ekipit”, shtoi ai.
Në fund, Mbappe ka përcjellë një mesazh mobilizimi, duke nënvizuar se në radhët e klubit mbretëror nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi. Pavarësisht serisë prej pesë fitoresh radhazi, ai insiston se grupi nuk ka siguruar ende asnjë trofe madhor.
“Duhet të vazhdojmë, sepse pesë ndeshje për ne nuk vlejnë asgjë. Duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet që na presin”, përfundoi reprezentuesi i Francës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: