Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Tragjedia në Vitomiricë, Nagavci: Viktima kishte paralajmëruar se do t'i merrej jeta, institucionet të japin llogari

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 16:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Tragjedia në Vitomiricë, Nagavci: Viktima kishte paralajmëruar se do t'i merrej jeta, institucionet të japin llogari
Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar llogaridhënie të plotë institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke vënë njoftuar se e ndjera kishte ngritur alarmin para autoriteteve për rrezikun e madh që i kanosej. Gjatë punimeve të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës – e thirrur me urgjencë pas këtij krimi makabër dhe për adresimin e dukurisë së dhunës ndaj grave dhe fëmijëve – Nagavci bëri me dije se më 22 tetor, vetëm pak kohë para se të humbte jetën, viktima i ishte drejtuar me një shkresë zyrtare Prokurorisë Themelore në Pejë, ku kërkonte ndërhyrje të menjëhershme, zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin shfaqur negligence në detyrë. Deputetja theksoi se fakti që viktima kishte paralajmëruar ngjarjen e rëndë e bën situatën edhe më alarmante, duke kërkuar shpjegime të qarta se çfarë u bë me atë shkresë dhe nëse organet kompetente ndërmorën hapat e nevojshëm për t'i dalë në mbrojtje. “Është një tragjedi që kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe llogaridhënie institucionale. Sot nuk jemi këtu vetëm për të dënuar një krim të rëndë; jemi këtu për të kërkuar përgjigje nga institucionet që kanë pasur përgjegjësi ligjore të veprojnë për mbrojtjen e saj. Sepse kjo grua kishte kërkuar ndihmë, kishte paralajmëruar rrezikun, kishte besuar se institucionet e Republikës së Kosovës do ta dëgjonin dhe do të vepronin. Më 22 tetor, vetëm pak ditë para se të vritej, ajo ishte drejtuar me një letër urgjente Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar veprime të menjëhershme, ekzekutim në një urdhër gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre. Në fund të asaj letre gjendet një fjali që sot na rëndon në ndërgjegjen e secilit prej nesh: ‘Veçanërisht atyre që kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit.’ Ajo shkruante: ‘Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.’ Sa e dhimbshme dhe tronditëse është që sot po diskutojmë pikërisht për atë që ajo kishte paralajmëruar,” u shpreh ajo. Tutje, Nagavci ka drejtuar një seri pyetjesh rreth veprimeve të prokurorisë dhe zbatueshmërisë së urdhrave të gjykatës, duke insistuar se shteti duhet të japë llogari për trajtimin e këtij rasti. “Prandaj, sot kemi edhe të drejtë, edhe detyrim të pyesim: çfarë ndodhi me letrën e saj? Kush e shqyrtoi? Çfarë veprimesh ndërmori prokuroria? A u vlerësua seriozisht rreziku që ajo kishte paralajmëruar? A u ekzekutua urdhri gjyqësor që ajo përmendte? Dhe, nëse jo, kush ishte përgjegjës për moszbatimin e tij? Këto pyetje kërkojnë përgjigje konkrete dhe jo arsyetime të përgjithshme. Të nderuar deputetë, prokuroria nuk mund të jetë vetëm institucion që vepron pasi një krim të ketë ndodhur. Ajo ka përgjegjësi të veprojë me urgjencë kur ekzistojnë paralajmërime konkrete për rrezikun ndaj jetës. Po kështu, gjykata duhet t’i trajtojë rastet e dhunës ndaj grave me seriozitetin që e kërkojnë rrethanat. Vendimet gjyqësore nuk mund të mbeten vetëm në letër; ato duhet të zbatohen dhe institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që masat mbrojtëse të jenë efektive. Çfarë kuptimi ka një urdhër gjyqësor nëse ai nuk zbatohet?” shtoi ajo. Në fund, Nagavci bëri të ditur se është parashikuar themelimi i një komisioni hetimor parlamentar, i cili nuk do të funksionojë si zëvendësim i organeve të drejtësisë, por për të shqyrtuar çdo hallkë institucionale që ka dështuar në këtë rast tragjik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar