Kronikë
Tragjedia në Pejë, GLPS: S’ka arsyetim për dështimin e shtetit në mbrojtjen e Arlinda Zekajt
Reklamë e Sponsorizuar
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur reagimin e tij të ashpër lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke e cilësuar ngjarjen si një dëshmi të qartë të papërgjegjësisë institucionale në përballjen me fenomenin e dhunës në familje.
Përmes një deklarate publike, ky grup thekson se pasiviteti i organeve të rendit dhe i prokurorisë, pavarësisht se kishin njohuri të plota për rrezikin që i kanosej viktimës, shënon pikën më të lartë të dështimit të shtetit.
“Mbrojtja e jetës së grave nuk është çështje vullneti, prioriteti të përkohshëm apo deklaratash publike por detyrim themelor i shtetit. Kur ky detyrim nuk përmbushet, institucionet duhet të japin llogari dhe të bartin pasojat përfshirë edhe penale. Asnjë dështim institucional nuk duhet të relativizohet, të mbulohet apo të mbetet pa pasoja”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sipas statistikave të publikuara nga GLPS-ja për seancat gjyqësore që lidhen me dhunën në familje dhe atë me bazë gjinore, brenda periudhës janar–shtator 2026 janë regjistruar gjithsej 957 gra viktima të dhunës.
“Këto shifra alarmante dëshmojnë përmasat shqetësuese të dhunës ndaj grave dhe urgjencën e reagimit institucional. Këto të dhëna nuk mund të trajtohen thjesht si statistika, por si një sinjal serioz se parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e grave kërkojnë veprime të menjëhershme. Parandalimi dhe trajtimi i vrasjes së grave është dhe duhet të shihet si urgjencë kombëtare”, bën të ditur organizata.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike, GLPS bën thirrje për një hetim të gjithanshëm, vendosjen e llogaridhënies dhe përgjegjësi konkrete ligjore për çdo lëshim të mundshëm institucional që i hapi rrugë këtij krimi.
“Kur institucionet dështojnë të garantojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ato dështojnë në përmbushjen e detyrimit të tyre më themelor dhe minojnë besimin e qytetarëve ndaj shtetit ligjor”, përmbyllet deklarata.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në fshatin Vitomiricë të Pejës, ngjarje për të cilën dyshohet se është përgjegjës kunati i saj, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se rasti ishte trajtuar në kohën e duhur dhe se për rrethanat ishin njoftuar të gjitha autoritetet përkatëse.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: