Politikë
Sofja zyrtare kërkon model buxhetor të BE-së të orientuar drejt arritjeve dhe inovacionit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë punimeve të Edicionit të 7-të të Forumit Ekonomik të Sofjes, të hënën, zëvendëskryeministri Atanas Pekanov ka theksuar se arkitektura e ardhshme financiare e Bashkimit Evropian duhet të mbështetet mbi parimin e rezultateve konkrete.
Duke e cilësuar si një proces sfidues debatin rreth kornizës së re buxhetore shumëvjeçare të bllokut, Pekanov solli në vëmendje rëndësin jetike të politikës së kohezionit. Ai vuri në pah se gjatë dy dekadave të fundit, Bullgaria është pozicionuar ndër përfituesit më të mëdhenj të kësaj politike, e cila, sipas tij, ka dëshmuar efikasitet të lartë në terren.
Sipas zyrtarit të lartë bullgar, fondet e kohezionit ndër vite kanë shërbyer si shtyllë kurrizore për zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e kujdesit shëndetësor, avancimin e arsimit dhe fusha të tjera kyçe sociale, duke ndihmuar rajonet me mundësi më të pakta që të zvogëlojnë hendekun e zhvillimit me zonat e tjera.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe vendimin e Komisionit Evropian të vitit 2021 për të integruar mekanizmin e ri “NextGenerationEU”, duke e cilësuar këtë si një nismë tejet pozitive.
“Financimi nuk synon më vetëm infrastrukturën dhe projektet e mëdha, por edhe përcaktimin e objektivave të qarta,” u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Pekanov ngriti gjithashtu shqetësimin se kontinienti evropian po tregohet i ngadaltë në sektorin e inteligjencës artificiale, duke bërë thirrje për injektime të konsiderueshme kapitali dhe veprim më të shpejtë se ritmet aktuale.
“Duhet t'i inkurajojmë dhe t'u kërkojmë bizneseve ta përdorin inteligjencën artificiale më shumë sesa e bëjnë aktualisht,” tha ai, duke kërkuar integrimin më të gjerë të kësaj teknologjie në dinamikat e përditshme të punës.
Forumi Ekonomik i Sofjes, i cili organizohet nga Forumi Ekonomik i Delfit prej vitit 2018, vijon të mbetet një arenë e rëndësishme ndërkombëtare ku mblidhen vendimmarrës politikë, figura të korporatave të mëdha dhe ekspertë, me qëllim diskutimin dhe orientimin e së ardhmes ekonomike të Bullgarisë dhe rajonit të Evropës Juglindore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: