Kronikë
Zbardhet ngjarja tragjike: Prokuroria zbulon hapat dhe vendimet e ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Pejë ka publikuar detaje lidhur me të gjitha veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt, duke sqaruar mënyrën se a u trajtua kërkesa e saj, vendimet e gjykatës, si dhe angazhimin e Policisë së Kosovës dhe prokurorëve në ditët para kësaj tragjedie.
Sipas njoftimit zyrtar, më 22 tetor 2026, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një shkresë nga e ndjera Arlinda Zekaj, në të cilën ajo kishte shprehur shqetësimet e saj mbi trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar angazhim për zbatimin e një vendimi gjyqësor.
Pas shqyrtimit të kërkesës, kryeprokurorja i ka përcjellë informacionet në adresë të institucioneve relevante, duke përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale, si dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Nga Prokuroria theksohet se organeve kompetente u është kërkuar trajtimi i menjëhershëm i situatës, verifikimi i pretendimeve për çfarëdo lëshimi të mundshëm dhe ndërmarrja e hapave të nevojshëm brenda kornizave ligjore.
Njëkohësisht, kryeprokurorja kishte hapur një rast për hetimin e pretendimeve të ngritura nga Zekaj, me qëllim që të analizohet nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve të përfshirë përbëjnë elemente të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Referuar dokumentacionit në kërkesën e Arlinda Zekajt, më 16 tetor 2026, gjykata kishte marrë një vendim që urdhëronte ish-bashkëshortin e saj t'i lejonte qasjen dhe shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët.
Po ashtu, ishte vendosur një urdhër mbrojtjeje me afat gjashtëmujor, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë pas lëshimit.
Në bazë të aktvendimit gjyqësor, detyra për ekzekutimin e këtij urdhri dhe njoftimin e gjykatës për çdo pengesë i takonte Policisë së Kosovës.
Prokuroria bën me dije se në ditën kur viktima kërkoi zbatiumin e këtij vendimi për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës kishte njoftuar prokurorin kujdestar rreth rrethanave të krijuara.
Duke analizuar situatën dhe nivelin e rrezikut për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte konkluduar se kthimi i menjëhershëm në atë banesë mund të rrezikonte jetën dhe integritetin e viktimës.
Për të garantuar mbrojtjen e saj, prokurori kishte ftuar në stacionin policor familjarët e viktimës, konkretisht vëllezërit e saj, për t'i njoftuar mbi situatën e ndodhur.
Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Zekajt për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit ka orientuar që ajo të strehohet përkohësisht te vëllezërit e saj, duke marrë parasysh rrezikun potencial.
Me kërkesë të vetë viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në prani të saj dhe familjarëve, kishin përpiluar një dokument zyrtar ku shpjegoheshin arsyet e vendimit për strehimin e saj te vëllezërit.
Pas diskutimeve të zhvilluara, viktima kishte rënë dakord të shkonte te familjarët, mirëpo kishte kërkuar që ditën e nesërme të shoqërohej nga një patrullë policore gjatë kthimit në shtëpinë e përbashkët.
Gjatë asaj nate, prokurori i shtetit dhe hetuesit e çështjes kishin bërë një rivlerësim profesional të rrezikshmërisë dhe masave të sigurisë që duheshin ndërmarrë në vijim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: