Aktuale
Alarmi për veteranët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut: Kërkohet reagim urgjent institucional pas ndalimeve të fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Udhëtimi nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut është shndërruar në një shqetësim serioz për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas rasteve të njëpasnjëshme të ndalimeve nga organet e sigurisë atje. Rasti më i fundit ishte ai i Fadil Pushkollit, i cili u ndalua dhe u mor në pyetje nga autoritetet maqedonase, ndonëse u la i lirë menjëherë pas përfundimit të intervistimit.
Megjithatë, ky nuk është incidenti i vetëm që ka ngritur shqetësime në opinionin publik. Në korrik të vitit 2024, një tjetër ish-ushtar i UÇK-së, Blerim Ramadani, u arrestua në pikën kufitare të Jazhincës, rast i cili mori vëmendje të gjerë pasi ai më vonë u arratis nga arresti shtëpiak në Shkup.
Këto zhvillime e bëjnë Maqedoninë e Veriut një vend të pasigurt për këtë kategori, sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati. Ai tregon se ka marrë sugjerime direkte nga miqtë e tij që jetojnë atje, përfshirë edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, të cilët e kanë këshilluar të shmangë kalimin nëpër këtë shtet për shkak të rrezikut real që ekziston.
Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bën thirrje bashkëluftëtarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve në vendet fqinje. Përfaqësuesi i kësaj organizate, Fatmir Sopi, thekson se përveç Serbisë, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ndaj sugjerohet që veteranët të shmangin udhëtimet e panevojshme për shkak të mungesës së sigurisë.
Në këtë situatë, ish-gjenerali Kadri Kastrati kërkon një angazhim konkret nga ana e ekzekutivit kosovar. Ai kritikuar ashpër qasjen e autoriteteve vendore, duke deklaruar se Qeveria e Kosovës, kryeministri dhe ministritë përkatëse duhet të kontaktojnë homologët e tyre maqedonas për të kuptuar nëse Serbia ka dorëzuar lista të brendshme dhe nëse veteranët figurojnë në databazat e shtetit fqinjë, pavarësisht se nuk janë në listat e Interpol-it.
Një qëndrim të ngjashëm ndajnë edhe nga OVL e UÇK-së, ku Sopi vlerëson se garantimi i lirisë së lëvizjes është përgjegjësi parësore e institucioneve të vendit. Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme duhet të koordinojnë veprimet me shtetet mike dhe partnere për të mbrojtur qytetarët e tyre, pasi në rrafshin individual individët mbeten të pafuqishëm përballë këtyre situatave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: