Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Tragjedia në Vitomiricë: Kërkohet llogaridhënie institucionale në Kuvend për vrasjen e Arlinda Zekajt

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 09:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Tragjedia në Vitomiricë: Kërkohet llogaridhënie institucionale në Kuvend për vrasjen e Arlinda Zekajt
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar përgjegjësi të plotë nga institucionet lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës, një ngjarje tronditëse ku viktima, vetëm tri ditë para se të humbiste jetën, kishte njoftuar autoritetet për rrezikin real që i kanosej. Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Haxhiu e cilësoi këtë krim si një dëshmi të qartë të dështimit shtetëror, duke bërë thirrje që reagimi ndaj dhunës të mos mbetet vetëm barrë e grave, por të kërkohet llogari nga çdo zyrtar i papërgjegjshëm. “Një grua që paralajmëron institucionet, një grua që kërkon shpëtim, një grua që paralajmëron për gjithçka që do të ndodhë, ky është kulmi. Prandaj, ju lus të gjithëve, si deputetë, mos pritni vetëm gratë me bë reagime, mos pritni vetëm gratë me kërku përgjegjësi. Por edhe prej këtuhit, të kërkojmë përgjegjësi për secilin që ka bo qoftë edhe një hap më të voglin të papërgjegjshëm duke mos përcjellë procedurën e rastit në fjalë. Nuk është politike, nuk besoj që mundet dikush me mendu në këtë rast, kurrë nuk do të doja, por nuk mundem kurrë me e hek prej mendjes atë shkrim të asaj gruaje, bukur shkrim, fjalë përgjegjësie edhe duke tregu që jeta po i merret. Prandaj, më falni, nuk isha vend tjetër momenti i parë, prandaj kërkoj edhe lus secilin deputet ta bëjë punën e vet, të ngritë zërin për këtë çështje. Këtu ka dështu shteti. Këtu jo vetëm që i është marrë jetë një gruaje, por ajo letër për mua ka qenë diçka që nuk besoj se e lënë dikë indiferent. Me u kthy me e lexu e me rilexu. Prandaj, edhe një herë, prej këtij momenti, në çdo vend, ta ngritim zërin me kërku përgjegjësi. Derisa dikush nuk merr përgjegjësi, atëherë unë nuk kam çka i di një gruaje. Asnjë vajzë, askujt. Më kërkush në këtë vend nuk është i sigurt”, deklaroi Haxhiu. Nga ana e tij, zëvendëskryetari i parë i Komisionit, Fahrush Rexhepi, ka shprehur ngushëllime dhe shqetësim të thellë për ngjarjen e rëndë, duke theksuar se shoqëria po ballafaqohet me sfida të shumta dhe se është i nevojshëm një angazhim i përbashkët për ndryshimin e situatës. “Natyrisht, ndajmë me ju dhe ndjejmë dhimbje dhe shqetësim edhe ne. Jo vetëm për këtë rast, por shqetësimet dhe preokupimet janë të mëdha në shoqërinë tonë, tani arsyet, shkaqet janë të shumta. Por ne duhet të kontribuojmë, pavarësisht ku jemi dhe prej cilës pozitë flasim. Qoftë edhe prej pozitës së deputetit, shoqërinë tonë e shohim se shumë gjëra kanë degraduar. Personalisht, s'kam shqetësime probleme personale, shqetësimin kryesor vazhdimisht e kam për këtë vend, për këtë shoqëri. Ku jem edhe ku po shkojmë dhe si po sillemi. Por është një temë, mendoj, shumë, shumë e gjerë. Dhe shpresoj edhe besoj që do të ketë përmirësime, bashkërisht të gjithë”, u shpreh ai. Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së shtunës në Vitomiricë të Pejës, brenda shtëpisë së saj, ndërsa dyshimet paraprake tregojnë se ajo u privua nga jeta me sëpatë. I dyshuari kryesor për këtë krim është kunati i viktimës, i cili vazhdon të mbetet në arrati. Vrasja ka marrë përmasa edhe më alarmante pasi u zbulua se më 22 tetor, vetëm tri ditë para tragjedisë, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë zyrtare në Prokurorinë Themelore të Pejës. Ajo i ishte drejtuar kryeprokurores duke kërkuar ndërhyrje urgjente ndaj zyrtarëve kompetentë, të cilët sipas saj kishin treguar papërgjegjshmëri në përmbushjen e detyrave të tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar