Kronikë
Tragjedia në Pejë: Gruaja gjendet e vrarë pak orë pasi bashkëshorti i saj u arrestua për dhunë në familje
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Kosovës ka zbardhur detajet e ngjarjes së rëndë të regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku një grua ka humbur jetën në rrethana makabre.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet rendore ishin vënë në lëvizje rreth orës 19:00, pas një alarmi për dhunë në familje në këtë zonë. Në kuadër të trajtimit të rastit, viktima ishte dërguar në stacionin policor për t'u marrë në pyetje, ndërsa bashkëshorti i saj ishte prangosur dhe ndaluar për 48 orë si i dyshuar kryesor për dhunën e ushtruar.
Mirëpo, situata ka marrë një kthesë fatale rreth orës 21:10, kur policia ka pranuar informatën se e njëjta grua është gjetur pa shenja jete. Të dhënat e para nga terreni sugjerojnë se ajo është privuar nga jeta përmes goditjeve me mjet të fortë.
Të gjitha njësitë relevante policore, shoqëruar nga ekipi mjekësor, kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjekët kanë konfirmuar zyrtarisht vdekjen e viktimës.
Në lidhje me këtë krim të dwshur, organet e rendit kanë bërë të ditur se dyshimet bien mbi një person tjetër. Bëhet fjalë për kunatin e viktimës, i cili aktualisht është shpallur në kërkim dhe ndodhet në arrati.
Në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori i Shtetit për të drejtuar hetimet e para, ndërkohë që institucionet kompetente po punojnë intensivisht për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të motiveve që çuan në këtë tragjedi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: