Sport
Përplasja e kapitenëve të Kosovës në Zvicër: Baseli dhe Grasshoppersi ndajnë pikët në një ndeshje pa gola
Reklamë e Sponsorizuar
Xherdan Shaqiri dhe Amir Abrashi janë përballur mes vete në derbin e futbollit zviceran, duel ky që nuk ka nxjerrë ndonjë fitues. Ndeshja e vlefshme për javën e 11-të të elitës zvicerane mes Baselit dhe Grasshoppersit është mbyllur me rezultatin e bardhë, 0:0.
Skuadra e Baselit, e udhëhequr nga kapiteni Xherdan Shaqiri, nuk ka arritur të shfrytëzojë avantazhin e fushës përballë Grasshoppersit të Amir Abrashit, i cili ka treguar paraqitje të qëndrueshme duke dalë i pamposhtur nga stadiumi “St. Jakob-Park”.
Në këtë takim, Shaqiri ka qenë protagonist duke luajtur për 90 minuta të plota për Baselin. Ndërkohë, në krahun tjetër, te Grasshoppersi, kontribut të plotë në fushë kanë dhënë edhe Amir Abrashi, Bujar Pllana dhe Samuel Krasniqi, të cilët gjithashtu kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë ndeshjes.
Vendasit rrezikuan portën kundërshtare që në minutën e tretë të takimit. Pas një gabimi të mbrojtjes në pasim, Baseli rifitoi shpejt kontrollin e topit, me Shaqirin që mori frenat e aksionit dhe shërbeu bukur për Omeragiqin. Gjuajtja e këtij të fundit u ndal nga traversa, duke i mohuar golin e epërsisë vendasve.
Dominimi i Baselit vazhdoi edhe në fraksionin e dytë. Në minutën e 62-të, Shaqiri ndërtoi një aksion personal mjaft të bukur dhe padekori një top të favorshëm për Zelarin, por mungesa e saktësisë në fazën përfundimtare bëri që mundësia të shkonte dëm.
Përpjekjet e skuadrës vendase nuk u ndalur deri në sekondat e fundit të ndeshjes në kërkim të golit të fitores.
Në minutën e 70-të, pas një tjetër aksioni të nisur nga Shaqiri, Otele provoi fatin e tij me një goditje drejt portës, e cila u bllokua me sukses në sekondën e fundit nga pika e prapavijës së Grasshoppersit. Pavarësisht rasteve të tjera, rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit.
Pas këtij barazimi, Baseli pozicionohet në vendin e shtatë të klasifikimit me 14 pikë të grumbulluara, ndërsa Grasshoppersi mbetet në vendin e 11-të me gjithsej 9 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: