Sport
Tronditje te Drenica, Jeton Mehmeti largohet nga drejtimi i skuadrës
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi futbollistik Drenica ka mbetur pa trajner, pasi Jeton Mehmeti ka vendosur të heqë dorë zyrtarisht nga drejtimi i skuadrës. Sipas tij, zhvillimet dhe kushtet e fundit brenda klubit nga Skenderaj e kanë bërë të pamundur vijimin e mëtejshëm të këtij angazhimi profesional.
Këtë vendim e ka bërë të ditur vetë strategu përmes një njoftimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”. Në mesazhin e tij, ai ka shprehur mirënjohje për drejtuesit, lojtarët dhe tërë stafin që i kanë qëndruar pranë përgjatë këtij rrugëtimi.
Duke bërë një bilanc të punës së tij, Mehmeti ka theksuar se ndahet nga skuadra kuqezi me ndërgjegje të qetë dhe krenar për ecurinë e deritanishme, e cila sipas tij ka tejkaluar çdo parashikim fillestar.
“Miq të dashur ju informoj që sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetrenerit te KF Drenica, ishte një periudhë me plotë probleme e sfida e gjëra pozitive”, ka shprehur ai në njoftimin e tij.
Më tej, ai ka shtuar: “Falënderoj Kryetarin Halim Bajraktari për mundësinë e dhënë, gjithashtu falëndërim për lojtarët e deri tek mirëmbajtësit e ekonomët e klubit, gjithashtu falëndëroj gjithë ata që më suportuan, si dhe ata që me paragjykuan pa të drejt, rrethanat e krijuara së fundi e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë”.
Në fjalët përmbyllëse të mesazhit, ish-trajneri ka nënvizuar përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe: “Kam punuar me pasion dhe përkushtim e profesionalizëm, gjë që tregojnë edhe rezultatet e arritura ku klubi është mbi pritshmërit, gjë që askush nuk besonte në këto rezultate,ndihem krenar me punën time dhe largohem me kokën lart e ndërgjegje të pastër”.
Vlen të theksohet se, pas 11 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani në këtë edicion garues, Drenica pozicionohet në vendin e shtatë të tabelës, duke arkëtuar gjithsej 11 pikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: